Tre lokale janë gjobitur nga policia, pasi janë konstatuar me muzikë të lartë pas orës 20.00 të mbrëmjes së të dielës, në kundërshtim me aktin normativ të qeverisë.
Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 30, datë 20.07.2020, neni 3, pika 7/2 “Në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00”, shërbimet e policisë kanë konstatuar 3 subjekte në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat ushtronin aktivitetin me muzikë pas orës 20:00, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.
Në përfundim të veprimeve të para, për secilin nga këto subjekte, me administratorë shtetasit Sh. K., B. L., dhe B. K., shërbimet e policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
g.kosovari