Nga Astrit Patozi
NO NEWS, GOOD NEWS
(Lajm i mirë, që nuk ka lajm)
Sot m’u dukën të gjithë të fituar, ndonëse nuk pati asgjë të re nga fronti i Komitetit Politik, të përforcuar tashmë me pesha të rënda nga të dy palët.
Zoti Luli Basha u shfaq i qeshur nga Kosova, me shumë gjasa duke iu gëzuar faktit që e kishte detyruar Edi Ramën të pranonte pa bërë buzë autoritetin e fortë të Gaz Bardhit. Dhe kjo është një shenjë e qartë se fitorja e tij është e sigurt. Madje ajo shkon përtej, sepse është edhe një konfirmim i asaj historisë me lajmësa të Edi Ramës, që njëri të bëhej kryeministër dhe tjetri president, por që ai nuk e kishte pranuar.
I vetmi problem këtu duket se është Ilir Meta, i cili nuk figuron fare çfarë roli do të ketë në Shqipërinë e Re, por këtë çështje mbase do ta zgjidhë Komiteti i ardhshëm Politik, atë ditë që të mbarojnë zgjedhjet dhe Edi Rama të pranojë humbjen e padiskutueshme duke i dhënë dorën Gaz Bardhit.
Edhe zoti Edi Rama nuk tregonte të ishte i mërzitur pas takimit. Madje u duk sikur e kishte pranuar me qejf uljen e nivelit të përfaqësimit nga kundërshtarët, ndoshta edhe ngaqë e di se i ka ca probleme me do udhëheqës në Kosovë, të cilat mbase i zgjidh Luli si kryeministër në ardhje që është.
Tek e fundit, kur vjen fjala për shqiptarinë, të gjithë kanë treguar se hapin rrugë. Dhe ky rast nuk ka pse të jetë përjashtim nga rregulli. Ndërkohë, dukej hashiqare se ai ndjehej i gëzuar që e kishte shtyrë edhe një ditë tjetër drejt 30 korrikut, pa e ndryshuar aspak vendimin për hapjen e listave, por pa ua thënë fjalën e keqe atyre, që nuk e duan fare atë gjë.
Edhe Myslim Murrizi besoj se është ndjerë njësoj i lumtur si në ditën, kur hapja e listave u pranua për herë të parë si mundësi për t’u shqyrtuar nga Partia Socialiste. Edhe pse do të ketë vuajtur shumë, duke i përgjuar se mos i kap në flagrancë duke flirtuar gjatë mbledhjes, ngaqë mund të ketë marrë tmerr nga 17 maji e tre vjetëve më parë.
Por, për sa kohë që nuk ka parë gjë me sy dhe nuk ka prova për një mëkatim të fshehtë, nuk i takon të akuzojë njeri për një pazar tjetër. Nëse do të ketë, është ngjarje e sigurt se do të dalë i pari ta festojë Edi Rama dhe atëherë nuk do të ketë më në krah Gaz Bardhin, por vetë zotin Luli Basha.
Që do të thotë, me pak fjalë, se të gjithë sot, në mënyrën e vet, kanë hedhur pas edhe një ditë tjetër për t’iu afruar më shumë dhe pa ngjarje 30 korrikut.
No news, good news.