Frrok Çupi
Dje Parlamenti Evropian u lëshua në gjunjë këtu në Tiranë. Incidenti ndodhi vetëm pak ditë pas lajmit në mediat e Evropës se selia e PE ishte plaçkitur nga disa banditë, asnjë kompjuter nuk kishte mbetur nëpër zyra, sipas lajmit.
Letra që shkruan dje tre nga PE, duke gjuajtur me shpulla Parlamentin dhe qeverinë e Shqipërisë, u hodh poshtë orët e vona të natës. PE ra- si për të devotshmit e vet, ashtu edhe për kundërshtarët. Të devotshmit e strategjisë kundër maxhorancës ishin mbledhur o nëpër studio televizive dhe luftonin ‘me thikë në dhëmbë’ në emër të 3 deputetëve shpëtimtarë, o në kulisa zyrtarësh që festonin.
Por në të njëjtën kohë PE ra edhe për kundërshtarët e ‘letrës bombë’.
Kështu ka rënë BE vit pas viti dhe fragment pas fragmenti këtu në Ballkan. Prekja e autoritetit të ‘hyjnisë’ BE ka nisur që në atë moment kur institucioni i 28 shteteve evropiane iu afrua njeriut gadishullor këtu dhe manifestoi dobësitë e veta. Pastaj ra më poshtë kur nisi procedurat e anëtarësimit të shteteve në Ballkan, por një proces që ata të BE aq sa e ‘puthnin’ po aq edhe e kafshonin. Manovrat e BE, herë ‘të dua’, herë ‘nuk më vlen’, nuk shkaktuan vetëm bezdi në Ballkan por edhe rënien e vet. Në Ballkan ka njerëz të stërvitur në mençuri dhe mund t’i shikojnë ‘dhëmbët’ përtej ‘puthjes’.
Sa herë është ndjerë keq Bashkimi Evropian dhe organet e veta, të pa zgjedhura demokratikisht, aq herë BE ka ngritur paradigmën se ‘jemi Evropa’, duke ngatërruar djallëzisht dhe me qëllim vasaliteti kontinentin e qytetërimit të madh me organizata të krijuara tash vonë dhe pa arkitekturë të rezistueshme. Njëri prej etërve të Evropës së Bashkuar, De Gol, që në fillim kërkoi që Evropa e Bashkuar të ishte ‘e kombeve’’. Por kur nuk u pranua ideja e tij dhe Evropa mbeti ‘e paqes dhe e bashkëpunimit’ ajror, atëherë De Gol u tërhoq e shkoi në Francën e tij.
Sot BE, edhe kur bie, nuk bie me atë dinjitet degolist. Sot rënia ndodh ulët: Mblidhen tre apo dy, apo një deputet i parlamentit të Evropës dhe vendosin të ‘rrahin’ me shpulla një parlament tjetër të kombeve të vegjël diku në periferi. Shkelin mbi principet bazë të Evropës. Deputetët e pazgjedhur kombëtarisht diku larg, duhet të vendosin mbi parlamentin e zgjedhur prej shqiptarëve. De Gol kishte njëmijë herë të drejtë që u kthye në shtëpinë e tij, sepse tentonte sovranitet dhe nuk e arriti, tentonte principe lirie dhe dinjiteti e nuk e arriti. BE ka rënë disa herë në territoret e Ballkanit, me potere të madhe, njësoj siç bien aeroplanët e detyruar për ulje emergjente.
BE ra në Srebrenicë para 25 vjetësh. Vetë komisioneri aktual i zgjerimit të BE, Olivèr Värhelye tha se rënia e ‘Evropës, në Srebrencë ‘ishte e turpshme’. Brenda disa orësh, në korrik 1995, në Srebrenicë u vranë, nga forcat serbe, 8000 myslimanë boshnjakë, në prani të përfaqësuesve të Unionit Evropian.
BE ka rënë disa herë në Ballkan, por me jehonë të mëvonshme- siç ndodhi edhe me Srebrenicën pas 25 vjetësh. Ende nuk dëgjohet jehona e braktisjes së Kosovës pas luftës së vitit 1999. Nga 37 mijë luftëtarë që bënë luftën, në Kosovë mbetën vetëm 7 mijë trupa dhe Eulex, shumica pensionistë. Tetë vjet me radhë Kosova mbeti në rrugë, deri në ndërhyrjen e Amerikanëve për krijimin e shtetit të ri e sovran të Kosovës.
BE po bie edhe në intrigën e ngritur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku një ‘Ufo’ kishte perceptuar një ‘shtëpi të verdhë’ në Mat- krahinë veriore e Shqipërisë, e cila nuk ka ekzistuar kurrë. Sipas një deputeti dhe një prokuroreje në organizmat e Evropës, aty UÇK kishte shitur a shkëmbyer organe të njerëzve. Akti i fundit kundër Thaçit dhe Veselit, duke ngritur akuza pa prova, kishte për qëllim që të ndalonte procesin e paqes në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi ishte ta hiqnin procesin nga duart e Amerikës; por me sa duket këtu u shënua edhe një rënie tjetër e BE në Ballkan.
Pse bien në Ballkan institucionet e BE?
Po të analizosh thellë, pyetja del pa sens. Në Ballkan ata perceptojnë shoqëri të dobëta dhe ‘tribale’, prandaj lëshohen vetë e… bien pastaj. Ballkani ka akoma jetë ekzotike, ‘jashtë rregullave strikte’, ka aromë folku dhe ikonash, ka lëng humori e bujarie. Në Ballkan ka edhe para të panumëruara dhe të vëna në dyshekë; por ka edhe guva ku mund të fshihet diçka. Në Ballkan ka shtetarë të lartë të korruptuar e të pasuruar aq shumë si me flori edhe me euro, saqë trafikantin kolumbian Pablo Escobar e lënë në ‘bisht’. Për një shpullë parlamentit, ose pse hedhin një jelek shpëtimi, eurodeputetët mund të shërblehen shtrenjtë.
E ku mund të ndodhë kjo në Evropë?
Në Evropë nuk i njeh njeri as Bashkimin e Evropës, as Parlamentin e Këshillin e Evropës. Përveç disa zyrtarëve të administratës shtetërore, të cilët janë të detyruar nga shefat. Pa pyet dikë në Paris se çfarë mendon për BE?! Do të marrësh një vështrim të çuditshëm dhe asnjë fjalë. Bashkimi Evropian nuk është votuar nga kombi dhe nuk përfaqëson komb. BE nuk ka tagër të veprojë mbi kombet sovrane, që janë evropiane, madje as guxon; këtë e bën me kombe të vegjël që vdesin të duken si anëtarë të BE. BE nuk është e regjistruar në asnjë kryeqytet të Evropës. Atëherë si mund të bjerë në Evropë?
Kriza e viteve të fundit e identitetit të organizmave të BE, përplasja mes konservatorëve sovranistë dhe elitave të vjetra, e ka bërë BE një organizëm që tenton autoritet atje ku nuk ka status. Shtetet në brinjë të Ballkanit, si Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, madje edhe Italia, nuk iu binden vendimeve të BE. Këta janë për qeveri kombëtare dhe ruajtjen e sovranitetit.
Tani në ‘aeroplanin’ e BE mund të fusë duart çdo pasagjer- njësoj siç ndodhi me ndërhyrjen private të 3 deputetëve liberalë në serverin e deklaratave të BE. Po të ishte De Gol, ose edhe burrat e Evropës, do të ktheheshin urgjent në shtëpi…