Një përplasje si nëpër filma është regjistruar pak pas mesnate në afërsi të parkut “Rinia”, pranë varrezave të Dëshmorëve në qytetin e Elbasanit, ku një automjet tip “Toyota” me targa ZYY 3397 ka kryer një manovër në rrugë dytësore në lagjen “5 Maji” dhe sapo ka marrë rrugën në drejtim të lagjes “Emin Matraxhiu” është goditur nga një mjet tip “Ford’ me targa AA 835 ZS, i cili udhëtonte me shpejtësi marramendëse mes për mes qendrës së banuar në këtë zonë.
Automjeti tip “Ford” e ka pasur të pamundur si pasojë e shpejtësisë të shmangë përplasjen me mjetin tip “Toyota” me targa greke dhe në përpjekje për të shmangur aksidentin ka goditur 2 automjete anës rrugës, të cilat kanë qenë të parkuar, përkatësisht mjetin tip “BMW” me targa El 8214 B dhe mjetin tip “Rover” me targa AA 550 FG dhe si pasojë e humbjes së kontrollit ka goditur dhe mjetin me targa greke, i cili në lëvizje e sipër i ka prerë rrugën.
Gjithësej në aksident janë përfshirë 4 automjete, 2 në lëvizje dhe 2 të parkuara.
Në automjetin tip “Ford” që udhëtonte me shpejtësi të lartë ka mbetur i plagosur drejtuesi i saj si dhe një vajzë që ishte pasagjere në mjet.
Ata janë dërguar në spitalin Kirurgjik të Elbasanit dhe pasi kanë marrë ndihmën e mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Përplasja ka qenë aq e fortë sa zhurma e shkaktuar ka krijuar panik te banorët e pallateve përreth.
Policia ka nisur hetimet dhe paraprakisht bëhet me dije se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara.
g.kosovari