Kosova nën drejtimin e Albin Kurtit nuk aplikoi të njëjtat masa të ashpra për izolimin e vendit, ndryshe nga Shqipëria, por kryeministri i ri nuk e përjashton mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me rastet në rritje të ditëve të fundit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se gjendja e rënduar e situatës së përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, mund të bëj që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
Ai tha se një vendim i tillë merret nga ana e Kuvendit të Kosovës në bazë të vlerësimeve të cilat do të shqyrtohen të dielën nga ana e Komitetit për Menaxhim të COVID-19 si dhe të Këshillit të Sigurisë.
“Tani jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Sonte kam pasur takim me Komitetin për Menaxhimin e COVId-19, kemi biseduar shumë hapur, mund të jetë vendim jo popullor por jam i gatshëm të shkoj në ekstreme për të ruajtur jetën e qytetarëve”, theksoi Hoti, në një intervistë në Klan Kosova.
“Të dielën e kam thirrur takimin tjetër të komitetit për të bërë vlerësimin tjetër të situatës shtesë me informata shtesë që kemi kërkuar dhe pas asaj e kam ftuar mbledhjen e këshillit të sigurisë nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Të dielën do ta shqyrtojmë sepse vendimin përfundimtar e merr kuvendi por ne do të vlerësojmë nëse duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, u shpreh më tej kreu i qeverisë së Kosovës.
Në 24 orët e fundit janë shënuar në Kosovë tetë viktima nga COVID-19. Në total numri i personave të vdekur nga koronavirusi ka shkuar në 95 dhe të regjistruar me infeksionin janë gjithsej 4 mijë e 307 persona.
g.kosovari