Kryeministri Edi Rama premton që 26 nëntori i këtij viti do të jetë ndryshe për zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Teksa inspektoi punimet në Thumanë kreu i qeverisë tha se do të hapen shumë shkolla dhe shtëpi. Ai premtoi se kantieri i infrastrukturës do të garantojë që banesat e reja të ngrihen mbi një sistem ujësjellësi, kanalizimesh, ndriçimi e rrjeti rrugor të standardeve më të larta
“Unë dua t’i them të gjithë banorëve që janë në pritje të shtëpive që po punohet intensivisht. Proceset kanë qenë shumë të ngjeshura. Fatkeqësisht interferimi i epidemisë na vonoi pak, kryesisht për garat, pasi garat kanë qenë të hapura dhe kompanitë e kanë pasur të pamundur të marrin pjesë, sidomos kompanitë e huaja dhe kanë kërkuar shtyrje, gjë që na ka pezulluar dhe procese të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që absolutisht në 26 nëntor, 1 vit nga tragjedia, gjërat do të jenë dukshëm ndryshe e në 26 nëntor do hapim dyert e shumë shkollave dhe do të hapim dyert e jo pak shtëpive edhe pse do të na duhet të vazhdojmë punën e të kompletojmë gjithçka vitin e ardhshëm”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërsa Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se është përmbyllur procedura e garës së rindërtimit të shtëpive dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për firmosjen e marrëveshjeve me kompanitë që do të angazhohen me ndërtimin e lagjeve të reja si kjo e Thumanës.
“Fondi Shqiptar i Zhvillimit mund të fillojë marrëveshjen kuadër për rindërtimin e banesave kolektive dhe mund të ecë më të njëjtën logjikë si me shkollat, pra, me projekt ide, menjëherë të prokurohen. Po ta shikoni, programi i shkollave ka ecur me shumë shpejtësi, krahasimisht me çdo program tjetër, edhe për shkak të këtij instrumenti që ne vendosëm për herë të parë me FSHZH”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
“Thumana e Re” do të ngrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh me standardet infrastrukturore më të larta, ku 5 kilometra do të jenë rrugë lidhëse, bashkë me sinjalistikën përkatëse dhe 3500 metra linearë do të jenë kanalizime dhe linjë elektrike.
/e.rr