Kreu i PD ishte këtë të enjte në Divjakë ku u takua me sipërmarrës dhe operatorë turistikë, që sipas tij, po mendojnë seriozisht mbylljen e aktivitetit.
Basha shprehet se në çdo resort që ka vizituar, numri i pushuesve ishte pothuajse zero.
“Administratorët më thanë se kishin larguar nga puna mbi 50 përqind të punonjësve. Kjo përkthehet në qindra kryefamiljarë pa rrogë dhe mijëra ekonomi familjare në krizë, si asnjëherë tjetër”.
Kreu i selisë blu thotë se mbyllja e kufijve nga Bashkimi Europian ka sjellë pasoja të rënda, pasi shkaktoi anulimin masiv të prenotimeve nga jashtë.
“Bizneset në Divjakë kanë zero rezervime për pjesën e mbetur të sezonit turistik”.
Basha paralajmëroi se nuk do të njohin asnjë koncesion apo vendim korruptiv të marrë 12 muaj para zgjedhjeve.
“Qeveria jonë do të rishqyrtojë ligjshmërinë dhe konfliktin me interesin publik të të gjitha vendimeve që janë marrë. Taksa 9% për biznesin, heqja e “taksës Rama” për naftën dhe moratoriumi 1 vjeçar për inspektoriatet, do të jenë vendimet tona të para në dobi të ekonomisë dhe turizmit. Këto janë masat e para stabilizuese për të vendosur normalitetin në vend. Paratë e shqiptarëve nuk do të shkojnë më për oligarkët, për tenderat, koncensionet e PPP-të e tyre, por do të shkojnë për investimeve publike që i shërbejnë ekonomisë, punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve. Paratë që sot shpërndahen në skema korruptive, do të shkojnë tek fermeri, biznesi i vogël, sipërmarrësi i ndershëm, për të zhvilluar dhe promovuar ekonominë dhe turizmin si gjenerator me potencial të madh për zhvillim dhe punësim”.
/a.r