Aida Hajnaj, zv/drejtoresha e policisë së shtetit kërkon që të shtohen kontrollet për qytetarët dhe bizneset që nuk zbatojnë rregullat dhe të vendosen masa ndëshkuese për policët që nuk kanë zbatuar aktin normativ mbi COVID-in.
“Report Tv” ka siguruar shkresën që u ka dërguar vartësve, drejtorive të policive, komisariateve dhe strukturave të tjera. Në shkresë Hajnaj thotë se ka pasur pak kontrolle dhe janë vendosur numër i ulët i gjobave ndaj bizneseve dhe nuk janë arkëtuar lekët për masat e vendosura më herët.
Aida Hajnaj kërkon që të merren masa ose do të ndëshkohen vetë trupat policore nëse nuk veprojnë për zbatimin e masave anti-COVID. ‘Numri i masave administrative pas procesit të lehtësimit të masave në kuadër të hapjes së vendit dhe biznesit ditët e fundit ka ardhur në ulje, kryesisht janë vendosur masa administrative vetëm në zonat e kuqe. Numri i masave administrative të vjela si në numër dhe në vlerë janë të papërfillshme në raport me sasinë e masave të vendosura, gjë që tregon se nuk marrë vlerësim të plotë nga drejtuesit e strukturave të policive vendore. Për këto arsye ju tërheq vëmendjen.
Bazuar në informacionin e administruar nga drejtoria e standardeve profesionale dhe konstatimet e departamentit të sigurisë publike për ulje të numrit të masave administrative pas procesit të lehtësimit të masave për bizneset e qytetarët dhe nivelin e ulët të arkëtimeve u tërhiqet vëmendjen drejtorëve të drejtorive vendore të policisë dhe të fillojë ecuria disiplinore për zv. drejtorët e sigurisë dhe policisë në komunitet, shefat e komisariateve, shefave të sektorëve të rendit dhe shefat e seksionit të rendit publik në komisariatet e policisë, si personat që kanë përgjegjësi për këtë situatë.
Lidhur me detyrimet të dërgohet praktika e ecurisë disiplinore në drejtorinë e standardeve profesionale brenda datës 30 qershor 2020″ thuhet në dokument. Shkresa mban datën 17 qershor, por sa janë gjobat e vendosura deri në datë 9 qershor? Në letër theksohet se gjobat e vendosura janë 6133, 4998 kanë marrë formë të prerë dhe vetëm 14 janë arkëtuar.
Letra e Policisë së Shtetit për varësit erdhi vetëm pas rritjes së numrit rekord të të infektuarve në dy javët e fundit, pasi masat si maskat dhe distancimit në lokale, bare, restorante, fasoneri dhe biznese të tjera u neglizhuan duke mos u zbatuar.
g.kosovari