Nga Frrok Çupi
Edhe është, edhe nuk është Procesi i Kafkës, më e sakta- është një fantazmë e tij. Vetë Procesi i Kafkës është një akt mes Drejtësisë dhe Padrejtësisë, mes parave dhe vrasjes…, në mjegull.
Heronjtë vijnë nga mjegulla; ose nga asgjëja por shkelin mbi këdo…
Gjyqtarja Fatmira Hajdari, heroina që tani po shfaqet si personazh i vitit 1926, erdhi dje me pasuri shumë të madhe: 13 apartamente, troje, pallat 20 katesh, vilë… Çfarë i jep të drejtë gjyqtares që të shkelë mbi ligje e mbi njerëz, është se është Heroinë e Demokracisë. Ç’dilema makabre kur ndodhesh para pranimit: ‘Ta marr a të mos e marr shpatën e Heroit?’.
Fatmira është heroina më e vogël, ndërsa katallanët ia dhanë shansin dhe e vunë përpara që këta të vjedhin njëmijë herë më shumë. ‘Heronjtë’ vijnë nga procesi dhe krijojnë proces:
Për shembull, procesi i saj nisi kur takoi një hero: Azem Hajdarin. Edhe heroi i Fatmirës kishte pasur një hero të tij: Berishën. Kur heroi Berisha humbi zgjedhjet e para në PD, shkurt 1991, heroi i Fatmirës e la partinë, s’u duk më derisa të kthehej heroi i tij. Në mars, një zot e di si e sollëm Berishën në krye, në fakt duke falsifikuar zgjedhjet, dhe Azemi u bë me heroin e tij.
Prapë në Proces…
Mes dy heronjve nisi procesi. Nuk u kuptua kurrë nëse procesi mes tyre tentonte të krijonte dy heronj për Një, apo vetëm Një për Një. Azem Hajdari na thoshte se ‘po më vret Berisha’; nga ana tjetër e deklaronte si hero të tij dhe bënte sikur ishte afër. Edhe grevën e urisë e bënte në shtëpi sa herë ndjente rrezik. Berisha- heroi përballë, nuk fjeti i qetë derisa heroi tjetër nuk ishte më.
Procesi post…
Pastaj nisi miklimi gruas dhe fëmijëve të heroit. Gruaja nga qepëse lëkurësh, u kthye në gjykatëse e famshme. Njësoj si heronjtë e tjerë të plepave. Pushteti i heroit të saj i hapi dyert: ‘Çfarë do nga ne, o Heroinë’. Prapa procesit të hapët qëndronte Josef K., personifikimi i atij që thoshte: ‘Bëj ti, por edhe ne do të bëjmë më shumë’. Një parti dhe disa qeveri të saj u zhytën në korrupsion…
Prandaj nevojiten heronjtë, që t’i shkatërrojnë jetën kombit.
Gjykatësja, krejt natyrshëm, ka endur procesin: Vajzën politikane që do të ndërtojë pallate më të lartë; djali politikan kundër motrës- që do të vazhdojë procesin edhe po të ndërpritet Rudina. Ky është ‘idhnu’ me të motrën pse doli kundër PD, dhe mban anën e ‘Ballit’. Sidoqoftë, o Balli, o ‘komunistët’ nesër fitojnë; procesi vazhdon… Të gjithë janë bij heronjsh.
Perceptimi i procesit:
Ne gabuam; gabuam rëndë, jo vetëm ‘ne’, por i madh e i vogël që e quajtëm ‘kohë heronjsh’. Nuk ka kohë heronjsh, ka vetëm njerëz që e pranojnë lehtë shtypjen primitive të heronjve. Të gjithë kombet e tjerë që hynë në demokraci bashkë me ne, i kanë harruar heronjtë e atyre ditëve: Çekët, polakët, bullgarët…, as Leh Valesa, as Haveli, askush nuk di emrat e demokratëve të Bullgarisë e Rumanisë…
Ndërsa ne bëmë aktin më tragjik të jetës së kombit: Kohën e heronjve në diktaturën komuniste e mbartëm drejt e në shtetin e ri ‘anti- komunist’. Stalinistë, vrasës, monumente, hajdutë, spiunë- të gjithë erdhën këndej nga ‘demokratikja’. Jeta e shtetit u bë primitive, e zymtë dhe gjakatare.
Partia komuniste gjeti rastin të shkarkohet nga ‘heronjtë’ e vet. Ndërsa demokratikja mbarti për vete edhe heronjtë e diktaturës. Në jetën e vet komunizmi kishte sunduar me heronjtë, edhe kur ata kishin vdekur. Të gjallët krijuan procesin e dhunimit. Lavdia se mundën diktatorin& Co., i ndoqi heronjtë e rinj të ‘Demokracisë’.
Tani Partisë Socialiste i skuqet fytyra nga e kaluara. Fëmijët e heronjve i dilnin tepër edhe komunizmit, e jomë këtyre. Ajo çfarë është pse i dhembin kockat kombit e shtetit, është pikërisht zori tragjik për t’u ndarë nga heroizmi dhe primitivizmi. Pala që nuk do Reformim dhe modernizim- nuk do Reformë në Drejtësi, mbahet me ‘burra të besës’ jo të ligjit, me banditë dhe injorantë të bindur, me bomba mbi qytetarët dhe shtetin, me tis të zi mbi vendin, me tribalizëm dhe shtet fisnor. Kjo është heroikja.
… Heroikja është një proces. Kur vdiq Franz Kafka, librin ‘Procesi’ e la në proces, madje edhe pa titull. Askush nuk mund të thotë nëse është një vepër e përfunduar… Edhe heroi i Kafkës ishte një njeri mes parash, një bankier që e priste burgu; edhe ndëshkimi- në proces. Në burg provoi pisllëkun e gjykatave, aq keq sa mendoi se kot të mbrohej. Kur u mbrojt mendoi se ‘më mirë po pranoj gjithçka që më akuzojnë’. Më në fund e vrau polici që e kishte arrestuar, siç duket nga neveria…
Heroizmi këtu te ne është një proces:
Politikanët parlamentarë dhe jo- parlamentarë tani kanë nisur luftën ‘kush fiton’. Askush nuk ka mendje, as ide, as punë çfarë bën, veç ngrefosja heroike e mbinjeriut ‘kush fiton’ mbi njeriun. Maxhoranca po lëshon pè në disa akte, sepse po nuk lëshoi nuk fiton dot përballë heroizmit!
Kryetari i shtetit herë pas herë i afrohet vetëvrasjes; pastaj pendohet dhe i duket se po e arrestojnë policët e Kafkës. Një herë tjetër i sulet Amerikës; jo se është antiamerikan, as pro-amerikan nuk është. Por kundër Amerikës thërret që ta dëgjojnë viktimat e tij. Pa viktima nuk ka hero.
E tëra- proces…
Hero është bërë edhe hamalli apo gurë- skalitësi. Ata i ngjajnë Procesit; përderisa janë bërë ‘heronj’ këta që erdhën nga vulgu, pse të mos jenë edhe vulgarët e tjerë. Pyeti po deshe: sa kushton ‘guri i një varri, usta?’. ‘Aaaa, për ty, 13 milionë!’. Në fund të fundit edhe varrin e Kafkës e shikon si tempull të heroizmit. A ka vdekje- dmth., ka heroizëm.
… Po çfarë dreq njeriu është ky që mban mbi shpatulla gurët e rëndë të piedestalit, pastaj peshën e bronzit, pastaj turpin se cilët mban mbi shpinë, pastaj hallin se si do të shkojë në shtëpi pasi është raskapitur me heroizmin e tjetrit…
Edhe ky- në proces.
*Fragment nga libri në proces, me titull ‘Trapi i Vjetër’.