Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se shpifja është prioriteti nr.1 i programit të PD duke komentuar gjyqin ku ish deputetja Tabaku u dënua për shpifje ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Basha shkruan në “Twitter” se ‘asnjë marionetë e RAMAVIRUSIT nuk e fsheh dot hajdutërinë e tij në bashkëpunim me trafikantët e drogës tek afera e Astirit’.
“Babëzia, arroganca dhe shpifja janë trinomi i pandarë i RAMAVIRUSIT që prej 7 vitesh i ka shtyrë shqiptarët drejt shpunësimit, varfërisë dhe krizës. Asnjë marionetë e RAMAVIRUSIT nuk e fsheh dot hajdutërinë e tij në bashkëpunim me trafikantët e drogës tek afera e Astirit. E vërteta e vetme e këtij KM dhe bufonëve të tij është plaçkitja e shqiptarëve për interes të banditëve dhe oligarkëve të tij. Këtë të vërtetë që i madh e i vogël e di dhe e ka provuar në kurriz, nuk e fshehin dot më as gjyqtarët e korruptuar dhe as regjia e propagandës së lodhur. Këto të vërteta dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër mjerimit ekonomik dhe padrejtësive të RAMAVIRUSIT, do ta largojnë shumë shpejt këtë bandë dhe drejtësia e pavarur do t’u japë ndëshkimin e merituar me ligj për krimet, varfërimin dhe zhvatjen e shqiptarëve dhe Shqipërisë”, deklaron Basha.
/e.rr