Finalizohet operacioni policor i koduar “PRIMO”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Interpol Tirana dhe zyra ndërlidhëse Interforza.
Bie në prangat e Policisë 31-vjeçari Idajet Saliaj nga Patosi, për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe zyrës ndërlidhëse Interforza, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “PRIMO”.
Si rezultat i operacionit, në qytetin e Patosit, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Patos.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e L`Aquila, Itali, më datë 20.04.2020 i ka caktuar masën e sigurimit ”Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Maksimumi i dënimit është 24 vjet burgim.
Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.