Deputeti i opozitës parlamentare Edmond Stojku, si kryetar i grupit më të madh opozitar me 11 deputetë, ka reaguar pas takimit me Ramën.
“Sot në mbledhjen e grupit u firmos një proces verbal ku të gjithë ishin dakord me një reformë , për një ndryshim të ri zgjedhor. Kryesia e Kuvendit e di vetë si shprehet, problemi është që ne jemi opozitar ndryshe nga ata që ishin më parë.
Ne bëjmë opozitë të fortë sipas profileve individuale, personale, politike, intelektuale. Tjetër opozitë bën kryetari dhe grupi i pavarur që është Nimet Musai, tjetër opozitë bën Myslym Murrizi me grupin demokrat dhe tjetër opozitë bën grupi demokraci dhe drejtësi që drejtoj unë.Në fund rezultantja e këtyre grupeve dhe në rastin e reformës, e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, të gjithë deputetët të cilët kanë firmosur përpara një viti dhe para 1 jave, janë në unison”, deklaroi Stojku.
Ai u përgjigj edhe deputetit Lefter Maliqi i cili do votojë Reformën Zgjedhore.
“Për Lefter Maliqin nuk di ç’të them. Unë mendoj se shprehja e burrërisë është edhe një firmë që hidhet diku. Firma e Z. Maliqi është e 36-ta në fletën me 39 deputetë. Nëse Z. Maliqi mendon ndryshe dhe ka vendosur tjetër gjë tani dhe i duket se atëherë ka bërë gabim, e ndershme dhe e udhës do të ishte të paktën të dilte dhe të kërkonte falje për atë që bëri përpara 1 viti. Të thoshte; tërheq firmën time dhe mundësisht të mos e bënte tani, por disa kohë më përpara”, u shpreh deputeti.
Më tej deputeti Stojku tha se kryeministri Rama i kishte marrë në konsideratë qysh prej fillimit deputetët e rinj dhe kërkesat e tyre, që pas djegies së mandateve nga opozita jashtë parlamentare dhe se këtë e ka treguar me lëvizjet e tij politike.
“Nëse kryeministri Rama nuk do të na kishte llogaritur, si kishte në dorë që në momentin e zëvendësimit të opozitës jashtëparlamentare, të kërkonte një mocion mosbesimi, të ndiqte gjithë hapat institucional për ndryshimin e qeverisjes që të çonte vendin në zgjedhje të reja. Pra kishte shumë zgjidhje në dorë për të thënë që s’na kishte në konsideratë”, tha Stojku.
/a.r