32 mijë maturantë do u drejtohen të hënën bankave të shkollës për provimin e parë të maturës shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit testi do të jetë vetëm me pyetje alternative. Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi thotë se janë 60 pyetje të tilla, për 60 pikë.
“Nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë teksti do të jetë me pyetje me alternativa. Janë 60 të tilla për 60 pikë. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Nuk do të ketë pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u zgjidhur”.
Edhe pse vlerësimi për nxënësit mbetet i cunguar, për drejtuesit e MAS kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.
“Por këtë vit për shkak të pandemisë dhe kushteve ku ndodhemi, që të mos mbledhim korrigjues, të cilët janë të detyruar që kur vlerësojnë një pyetje të hapur të komunikojnë me njëri-tjetrin për pikën finale të maturantit, është kaluar në këtë variant. Gjithçka do korrigjohet në mënyrë elektronike, duke shmangur korrigjimin njerëzor”.
Për shkak të pandemisë ndryshime do të ketë edhe në ambientet ku do të kryhet provimi. Çdo klasë do të ketë maksimumi 15 nxënës që do të mbikëqyren nga një koordinator. Pragu kalues për çdo maturantin do të jetë 25% e pikëve.
/a.r