“Në djepin e vajzës kishte rënë një dru i ndezur dhe djepi kishte marrë flakë. Unë isha përjashta e nuk e kisha parë çfarë kishte ndodhur,” tregon Besmira që ka kaluar një kalvar shqetësimesh e vuajtjesh.
Nëna e re nga Zavalina e Elbasanit, i thotë Gazetës “Si” se ishte shumë e frikësuar në momentin që i kishte hequr rrobat vajzës e kishte parë se në anën e djathtë të trupit të saj të vogël ishte djegur.
“Në fillim shuajta zjarrin dhe pastaj mora vajzën. Thirra komshinjtë dhe kemi marrë një makinë për të vajtur në spitalin e Elbasanit. Ashtu e trembur dhe e frikësuar nuk po kuptoja se çfarë kishte vajza,” tregon Besmira.
Ajo i tregon Gazetës “Si” se iu desh një orë për të arritur në spitalin e Elbasanit, më pas gjatë konsultave atje mjeku pediatër, i kishte bërë një gjilpërë qetësuese vajzës dhe e kishin nisur me ambulancë për në Tiranë.
“Isha shumë e frikësuar se mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe vajzës,” i thotë Gazetës, nëna e re e cila ditë natë, për 1 muaj rresht ka qëndruar në spital.
Më tej ajo tregon se shtëpia ku jetonte më parë ishte shumë e vjetër dhe për 6 pjesëtarë që ishin në familje. I vetmi person që punon është vjehrri i saj i cili mbledh bimë në mal. Besmira e kalon ditën duke u marrë me punët e shtëpisë dhe vjehrra e ndihmon me vajzat, ndërsa bashkëshorti i saj shoqëron babain në mal.
Mjeku Gentian Zikaj, tek Shërbimi i Djegie-Plastikes shpjegon për Gazetën “Si” se pacientja e vogël është paraqitur në urgjencë me diagnozë shtrimi: “Djegie të anësisë së poshtme” dhe djegia ishte në gradën e tretë” , që do të thotë ishin djegur të gjitha shtresat e lëkurës.
Pacientja ka mbërritur ne Spitalin e Djegie-Plastikes ne QSUT 4 orë pas aksidentit, kohë që ka ndikuar edhe në mënyrën e trajtimit me pas.
“Duke qenë se ka pasur një sërë problemesh sociale, pacientja nuk ishte e ushqyer si duhet, duke ndikuar te imuniteti i saj. Që nga Elbasani ka ardhur 4 orë pas djegies dhe kjo periudha ndikon shumë në mënyrën e trajtimit më pas”, tha mjeku Zikaj.
Nderkohë familja e vogëlushes ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Besmira tregon se të dyja vajzat e saj i ka ushqyer me qumësht dhie dhe qumësht formulë.
Psikologja e shërbimit të Djegie-Plastikes, Rosita Pustina e cila ka ndjekur rastin tregon se pacientja dhe familja e saj jetonin në kushte të vështira.
“Sigurisht qe gjendja e shëndetit mendor të nënës ishte e renduar emocionalisht si pasoje e traumës. Frika për shëndetin e vajzës, niveli i ulet social-ekonomik dhe mungesa e informacioneve ne lidhje me këtë diagnoze e bënin të vështirë për nënën. Frika nga e panjohura rrit nivelin e ankthit,” shprehet Pustina.
Rasti u referua nga psikologja Pustina në Sektorin Psiko-Social ne Drejtorinë e QSUT, qe krijoi kontakte me Bashkinë Elbasan dhe organizatat e ndryshme për t’i ofruar ndihmë kësaj familjeje.
“Hapat e pare qe u ndërmorën për trajtimin psikologjik ishin suporti emocional dhe teknikat e relaksimit, për të vijuar me pas me bisedën klinike dhe marrjen e informacioneve të përgjithshme. Nënës i është bere psiko-edukim me në fokus shëndetin e vajzës dhe kujdesin ndaj saj. Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore te pacientes dhe përmes ndërhyrjeve të vazhdueshme terapeutike dhe gjendja psikologjike e nënës u stabilizua,” tregoi Pustina.
Ndër të tjera mjeku Zikaj shpjegon se e rëndësishme për vajzën e vogël ka qenë marrja e likuideve gjatë 24 orëve të para. Mjeku thotë se likuidet shërbejnë për dhënien e lëngjeve dhe plazmës së gjakut në mënyrë që të mbahen në formë të gjitha organet jetësore.
“Pacientja ka marrë perfuzionet likuidet gjatë 24 orët e parë, i është vendosur diereza e urinimit që tregon që pacientja i është plotësuar volumi i qarkullimit të gjakut dhe janë furnizuar me lëngje organet. Më pas është luftuar shoku septik, pra infeksioni i plagës dhe këtu në këto momente ka marrë antibiotikë dhe përveç kësaj, mbështetës të plazmës së gjakut, pra disa transfuzione gjaku për ecurinë normale të një djegie,” i shpjegon Zikaj Gazetës “Si.
Nëna e re i falenderon mjekët. “I falënderoj shumë mjekët sepse përveç se më shpëtuan vajzën, më ndihmuan edhe të lëviz nga fshati në qytet, ku kam nisur edhe të punoj, e të mbaj më mirë vajzën. Kur ajo të rritet, do ja tregoj të gjitha,” tregon Besmira.(si)