Beteja për Teatrin Kombëtar duket se është më e ashpër pas prishjes së tij. Por deri ku shkojnë vijat e kuqe të vendosura nga opozita për mazhorancën? Për të folur rreth asaj çfarë ndodhi në 17 maj, por dhe pritshmërive nga beteja në vijim, emisioni “Java në RTSH” kishte në studio ish-deputeten e LSI Silva Caka dhe drejtorin e lajmeve në Neës24, Robert Rakipllari.
Duke folur për shoqërimin e saj nga policia, Caka tha se ajo u ndalua shumë jashtë gardhit, ç’ka sipas saj është në kundërshtim me çdo protokoll. Ajo e sfidoi policinë që të nxjerrë pamje e kamerave të bulevardit për të parë se çfarë ka ndodhur atë ditë.
“Shoqërimi im ndodhi pas një komunikimi që pata me policët. Po i kujtoja atyre se kjo qeveri kërkon t’i nxjerrë në pension në moshën 55-vjeçar. Siduket policisë nuk i pëlqen që të përballet me të vërtetën” – tha Caka.
E pyetur nëse ishte shkelur ligji për pandeminë, duke u grumbulluar në shesh, ish-deputetja tha:
“Një akt normativ për pandeminë nuk mund ta kufizojë të drejtën kushtetuese për të protestuar. Tubimet ndalohen vetëm në vendet e mbyllura, por jo të hapura. Unë mendoj se vetë pandemia është një përrallë e sajuar” – tha Caka.
Në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli, ish-deputetja shprehu bindjen se Ligji për Teatrin nuk ka rënë.
“Ligji Fusha nuk ka rënë, por mbetet në fuqi. E gjithë çështja e teatrit u krijua nga qeveria për të shmangur vëmendjen nga problemet reale. Sikurse e keni parë që prej asaj ditë nuk është folur më për ekonominë dhe paketat e ndihmës” – tha Caka.
Ajo shtoi se me formimin e Gjykatës Kushtetuese, padia e Presidentit do të jetë nga çështjet e para për t’u marrë në konsideratë nga kjo gjykatë.
Ndërkohë, për gazetarin Robert Rakipllari, qeveria tregoi një akt force në rastin e Teatrit Kombëtar.
“Liderët e opozitës e tepruan me retorikën e tyre dhe e provokuan veprimin e qeverisë. Forca e opozitës nuk tregohet me muskuj, por me ide. Unë mendoj se kauza e teatrit është një kauzë e drejtë, por kuptohet se opozita nuk mund ta mbronte teatrin me trupa” – tha Rakipllari duke shtuar se protesta e 17 majit u provokua nga ndërhyrja e Policisë.