Giovanni Falcone padyshim është një prej atyre që e ka të skalitur emrin e tij në Drejtësinë Italiane. Eshtë një prej atyre njerëzve të Drejtësisë që nuk do të harrohet kurrë jo vetëm në Italinë fqinje, por edhe në Shqipëri, apo gjetkë.
Si sot 28 vjet më parë, Falcone u ekzekutua në mënyrën më kriminale të mundshme, me një taktikë mafioze që rrallë mendohej në ato vite. Plot 572 kilogramë eksploziv u përdorën përgjatë rrugës në të cilën do të kalonte Prokurori Italian i Antimafias.
Si u vra Giovanni Falcone
Falcone u vra bashkë me gruan e tij Francesca Morvillo dhe tre policët që e shoqëronin: Roço di Cillo, Antonio Montinaro, Vito Schifani në Capaci, në autostradën që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Palermos me qytetin e Palermos, më 23 maj 1992.
Makina me të cilën po udhëtonin u hodh në ajër nga një bombë, e cila përmbante 500 kg eksploziv të vendosur në një pjesë të gërmuar thellë në anët e rrugës.
Vrasja ishte organizuar nga Salvatore Riina si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone gjatë “Gjurmëve të Mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafias pasuese për vrasjen e Falcone dhe Borsellino, ishte edhe arrestimi i Riinas. Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones ishte Giovanni Brusca një nga shoqëruesit e Riinas, i cili dëshmoi se ishte personi, i cili kishte komanduar shpërthimin.
Si mbijetoi shoferi personal i Falcones
Giuseppe Costanza, sot 73 vjeç ka folur për të panjohurat e pasdites së 23 majit 1992, kur në Palermo ekzekutohet dhe masakrohet gjykatësi që i kishte shpallur luftë Mafies në Itali. Në orën 17:56 minuta e 32 sekonda të së shtunës së 23 majit 1992, një gropë e madhe është hapur mbi autostradën që lidhte aeroportin e Punta Raisi me Palermon. Në atë atentat humbën jetën gjykatësi Falcone, e shoqja, Francesca Morvillo dhe tre agjentë të eskortës: Vito Schifani, Roço Dicillo, Antonio Montinaro.
I mbijetuan atentatit, agjentët Paolo Capuzza, Angelo Corbo, Gaspare Cervello dhe shoferi Giuseppe Costanza. Atë pasdite, Giuseppe Costanza ndodhej në bordin e makinës me të cilin udhëtonte gjykatësi i famshëm asokohe, por jo në vendin e shoferit. Falcone atë ditë kishte dëshirë të drejtonte makinën, me bashkëshorten të ulur në krah të tij. Një ndryshim protokolli, që ndodhte shpesh, por që i kushtoi jetën armikut numër një të Mafies dhe që nga ana tjetër shpëtoi atë të shoferit të gjykatës.
Në rrëfimet e tij, shoferi thotë se: “Atë mëngjes më telefonoi në 07:00 të mëngjesit për të më njoftuar mbërritjen e tij. Eskorta që mbeti viktimë u formua në moment, nuk ishte posaçërisht për të: nga 1984 deri në 1991, kemi qenë pak vetë që e kishim shoqëruar.
Jam gjallë sigurisht sepse makinës i jepte ai, por nëse do të isha unë në timon, do të kishin vdekur katër persona të tjerë. Përveç meje, mbijetuan edhe tre agjentë që ndodheshin pas makinës sime. Ai i jepte makinës si një njeri i zakonshëm, ne jemi shoferë profesionistë, drejtojmë duke qëndruar paralelisht dhe duke bërë kështu, do t’i kishim zënë të tria korsitë në atë rrugë. Në atë rast, të tria makinat do të kishin përfunduar njëkohësisht përballë shpërthimit të eksplozivit. Atentati ishte bërë për Falconen, por teknikisht ekzekutuesit kanë gabuar, sepse nuk e mendonin që në timon ishte ai vetë”.
Drejtësia, nën emrin e Falcones
Drejtësia është e barabartë për të gjithë! Kjo fjali e shkruar në çdo sallë gjyqi, apo institucion shqiptar e të huaj mbart dilemën shumëvjeçare, nëse ka ndodhur apo jo kështu! Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.
Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.
Për fat të keq në Shqipëri, Drejtësia ka çeduar jo pak. Aq sa shpresat e njerëzve tek sistemi i Drejtësisë janë lënë në nisje të dekadës së tretë të pluralizmit politik edhe pse ka ende skepticizëm, nëse do të jetë apo jo në nivelin e duhur dhe mbi të gjitha në pritshmëritë e publikut.
Por, për Drejtësinë e dëshiruar nga shqiptarët, e gjitha vëmendja vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e kanë mision Drejtësinë në Shqipëri. Për krahasim do të vlente ajo që ka ndodhur vite më parë në Italinë fqinje.
Drejtësia në atë vend, ku tashmë jetojnë edhe mijëra shqiptarë nisi më së shumti në 23 maj të vitit 1992 në Siçili, menjëherë pas ekzekutimit të gjykatësit italian të antimafias, Giovanni Falcone.
Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.
Kthesë, që e futi Drejtësinë italiane në shinat e duhura. Dhe ku shembulli ishte praktika “falconiane” e të penduarve të Drejtësisë, praktikë që edhe SPAK-u shqiptar kërkon ta përdorë si metodë dhe e ka implementuar deri më tani në dy çështje droge.
Krimet monstruoze të mafias italiane përfshirë edhe krimin me karakter ekonomik, e ku ishin përfshirë shumë banka, kanë ngjashmëri si “dy pika uji” me atë çfarë ka ndodhur ndër vite në Shqipëri.
Pikërisht në këtë leksion të Giovanni Falcone se hetimi mbi krimet dhe veprimtarinë e strukturave mafioze duhet shoqëruar me hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka është bazuar edhe Shqipëria, e cila e ka përfshirë këtë procedurë hetimi përmes një pakete ligjore të mirëfilltë që mori miratimin nga Qeveria.
Soreca sot ambasador i BE, dikur vartës i Giovanni Falcone
Askush nuk do ta besonte se Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë është një ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Itali, detyrë që e ka kryer menjëherë pas përfundimit të studimeve të larta dhe gradimit si avokat dhe pas një përvoje në sistemin bankar italian.
Por, ajo që e bën të veçantë karrierën e diplomatit Luigi Soreca në Shqipëri lidhet me një legjendë, si Giovanni Falcone. Në çdo 23 maj, Ambasadori i BE në Tiranë shkruan për Falconen. Edhe sot të njëjtën gjë ka bërë përmes një statusi në Twitter, teksa shkruan se idetë e Falkones do të mbeten.
Për Sorecën Falcone dhe Borselino do të mbeten udhërrëfyesit e përhershëm dhe shembulli i drejtësisë. Në rrëfimet e tij Soreca ka thënë se “E kam takuar gjykatës Falconen dhe duhet të them se në ato pak javë që pata rastin të punoja me të, mësova sa i rëndësishëm është përkushtimi ndaj shtetit ligjor dhe respekti për njerëzit. Ai na mësoi të gjithëve ne se ç’do të thotë të jesh tërësisht i angazhuar në punën tënde”.
“Ajo që mësova është se kur një grup njerëzish të talentuar më lejoni të them se bëhej fjalë për Falconen, Borselinon, por edhe burra dhe gra me të cilët kam punuar si Boris Giuliano, Nini Cassararo, Roco Canici, Emanuela Lori janë të vendosur që duan t’i ndryshojnë gjërat, nëse mbështeten nga shoqëria civile dhe klasa politike, synimi mund të arrihet”, ka deklaruar Soreca, në thuajse të gjitha rastet kur është pyetur për më të mirët prokurorë të Italisë./ shqip