Kreu i KLP Gent Ibrahimi thotë se SPAK do të japë rezultatet që do publiku dhe shoqëria shqiptare, ndërsa tregoi se së shpejti e gjithë organika e këtij institucioni do plotësohet pasi do të emërohen dhe prokurorët e rinj.
“Organika e SPAK prej 15 prokurorësh ende nuk është plotësuar, ka vetëm 9 prokurorë. Kush e ka fajin? Për këtë e ka fajin sistemi i vettingut që merr më shumë kohë se e kishim imagjinuar dhe nuk është në gjendje të prioritizojë.
Kam qenë i mendimit që kur vjen fjala për kandidatët në SPAK, Kushtetuese, vettingu do të duhet të gjente një mënyrë për të përshpejtuar produklin e punës së vet, ata nuk ja kanë dalë dhe mesa duket nuk do t’ja dalin deri në fund.
Kemi bërë shumçka, por jo gjithçka. Pas datës 21 ne do të kemi 15 prokurorë në SPAK. Tre prokurorët e tjerë janë ende në proces vettingu. Njëri e ka kaluar shkallën e parë.
Ju bëj thirrje organeve të vettingut që të gjejnë patjetër mundësinë për të diferencuar dhe prioritizuar raste si prokurorët e SPAK”, u shpreh Ibrahimi në Ora News.
Më tej, kreu i KLP tha se prokurorët e SPAK “do jenë të patundshëm” dhe së shpejti paga e tyre do të jetë 3 milionë lekë të vjetra.
“…SPAK do të duhet të justifikojë besimin dhe investimin. Këtyre njerëzve u kemi dhënë garancitë e qëndrimit në detyrë, një prokuror i SPAK është i patundshëm.
Është emëruar atje për 9 vjet dhe askush nuk është në gjendje ta largojë në një destinacion tjetër.Së shpejti një prokuror i SPAK do të jetë në gjendje të çojë në shtëpi 3 milion lekë të vjetra pagë në muaj”, shtoi Gent Ibrahimi, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.