Nga Mero Baze
Shkuarja e kryeministrit Edi Rama në një intervistë në një medie që është pronë e familes Berisha, me të ardhura të padeklaruara, dhe për më tepër me një standart profesional rrënues, natyrisht t’i sjell zorrët në fyt. Irritimi vjen jo pse flet për një medie kritike me të, se të tilla ai ka shumicën e medies, dhe bën mirë që shkon. Biles nëse ka një alibi përse duhet të shkonte, dhe këtu është pikërisht të qenit edhe medie kritike me të.
Por Syri nuk është medie kritike, por një projekt politik i korrupsionit të vjetër në Shqipëri, korrupsionit të pandëshkuar, dhe mbi të gjitha të trimëruar, që tani i ka ardhur ora të ri-investojë për të qenë faktor në jetën publike.
Këtu nuk e kam fjalën për gazetarët e njohur dhe të panjohur që punojnë aty. Atyre të shkretëve u ka rënë në pjesë të punojnë gjithë jetën me pronarë të tillë, herë me ata që i akuzonin për drogë, herë me ata që i akuzonin për mafioza, herë me ata që i konsideronin të korruptuar.
Problemi është se ky projekt është projekt politik dhe përveçse është me para të pista e të padeklaruara, që u janë vjedhur nga xhepat shqiptarëve, është një projekt që dëshmon kurajon e krimit të pandëshkuar për të ngritur kokën.
Përfillja e Edi Ramës për këtë projekt, dhe konsiderimi prej tij, i një grupi hajdutësh dhe vrasësish të disa viteve më parë, si faktor politik dhe mediatik, tregon një lloj dorëzimi para tyre.
Ky është i vetmi gabim i rëndë politik dhe moral që Edi Rama bën duke përfillur këtë projekt, ndërkohë që detyra e tij dhe premtimet e tij, kanë qenë për t’i luftuar këto projekte.
Djali i Sali Berishës është njeriu më i pakontrolluar dhe i pahetuar nga administrata e Edi Ramës, për gjoja bizneset e tij, dhe në betejat e tij gjyqësore me një deputet socialist, mjaftoi vetëm një gërmim letrash, që të shfaqeshin dhjetëra hektarë tokë të blera në periferi të Tiranës me emër të tij, ndërkohë që zyrtarisht nuk bën ndonjë biznes, përveçse atyre brekëve që i shet gruaja në Bllok, por që se hap dyqanin kurrë.
Edi Rama nuk duhet ta hetojë atë për hakmarrje, por për detyrim ndaj shqiptarëve, të cilët i kanë dhënë votat për ta ndëshkuar atë më 2013.
E gjitha kjo nuk mendoj se kompensohet me faktin se ai u argëtua me Çim Pekën, e talli, e ekspozoi si injorant, apo e bëri t’i çojë dëm mundin e pyetjeve të hartuara nga familja Berisha. Këtë e ka pas bërë dhe më parë, por të vësh në peshore faktin që ke amnistuar një projekt të korrupsionit të vjetër politik, trimëruar nga pandëshkueshmëria, me faktin se shkove të tallesh me Çim Pekën, është sikur të vësh në peshore faktin që Luli ka marr vilë tek Papuli, me arsyetimin e tij se nuk paguan qira, se e ka falas nga një mik.
Dëmi që i bëhet Ramës dhe kauzës së tij nga “respektimi” i këtj projekti korruptiv politik, është shumë më i madh nga dëmi që i bëhet Cim Pekës pse e ka tallur Rama gjithë kohën. Ashtu si dëmi që i bëhet PD kur Luli shkon merr vilë tek Papuli, është më i madh se sa përfitimi që ka Luli pse nuk paguan qiranë.