Prej dy javësh, në vendin tonë shkalla e shërimit nga coronavirusi është rritur në 98%, një rritje drastike krahasuar me 60% e pikut në muajin mars. Aktualisht, numri i personave të shtruar në spitale janë 34 persona, nga të cilët 29 në Spitalin Infektiv dhe 5 në Sanatoriumin “Shefqet Ndroqi”, edhe kjo një rënie e ndjeshme krahasuar me pikun prej 80 të shtruarve.
Nga personat e shtruar në spital, vetëm 7 ndodhen aktualisht në reanimacion. Rritja e përqindjes së personave të shëruar është ndihmuar edhe nga një kapje më e shpejtë në kohë, si rrjedhojë e testimeve më të hershme dhe nga futja në përdorim e disa medikamenteve të reja, si anti-malarikët. Të dhënat zyrtare tregojnë se në total, në Shqipëri janë 803 raste të identifikuar si të prekur me “Coronavirus”, në një total prej 9 006 testimesh. Nga totali, 534 janë shëruar (68%), 31 kanë humbur jetën dhe 229 mbeten raste aktive.
Lajmi tjetër i mirë është që prej 23 ditësh numri i të shëruarve është mesatarisht 2.4 herë më i lartë se i të prekurve të rinj. Rënia graduale, por e qëndrueshme e rasteve me coronavirus është arsyeja kryesore përse vendi ka kaluar në një fazë të re të përballimit të epidemisë, me një lirim gradual të masave përgjatë të gjithë majit.
/a.r/lexo.al