Nga Orjana Hadroj
Më lër të flas.
Më lejo të flas!
Një fjalë që prej muajsh e mbajta në zemrën time, ka ndërtuar shumë mure penguese. Është fjala që ndoshta mund të ishte bërë një urë, për të lidhur “Ne” me “Ju”. Është fjala që nuk do të ndante më “Ne” qe vishemi me xhinse blu, njerëzit pa pushtet, ose pa forcë për të ndryshuar pushtetin, nga “Ju” njerëzit që bëjnë pushtetin, që flasin pa pushim dhe veshin kostum të zi.
Një fjalë që prej muajsh ndoshta as nuk u tha e as nuk u dëgjua, por zuri pluhur në sirtarin e zemrës. Aty ku qënja flet me vehten dhe e përsërit fjalën: Të pa thënën fjalë. Sepse nuk kam të drejtë të flas, por edhe në se flas, askush nuk më degjon. E c’kuptim ka e folura kur shkon në vesh të shurdhër?
Më ler të flas, të të them se kjo jetë nuk mund të bëhet ndryshe në se të gjithë ne nuk marrim shkollën e duhur, arsimimin në formen e saktë. Më lër të them se fjala “arsimim” nuk duhet të mbetet fjalë, e nuk duhet përkthyer në para, por duhet bërë praktikë, vepra. Duhet të jetë mundësia e të gjithëve , jo vetëm atyre që vishen me kostum të zi.
E në se më lejon të flas, të lutem dhe me dëgjo. Në se më dëgjon sigurisht që më kupton. Unë jam vetëm 13 vjec, dhe dicka nga brenda më shqetëson. E mbaj në zemër prej muajsh shqetësimin, dëshirën për t’u arsimuar e lirë dhe bazuar në vullnetin dhe aftësitë e mia. Prandaj më lër të flas i dashur shok që kostumin e zi ndryshon (blen) cdo ditë, se unë i ndërroj (blej) xhinset blu një herë në vit.
Më lër të them, e të lutem më dëgjo e më jep një mundësi edhe mua. Sepse unë e dua arsimin dhe kur të rritem, nuk dua të bëhem shtëpijake por një qytetare e denjë për vëndin tim. Më lër të them, se kam dhe unë ëndrra të bëhem doktorreshë, mesuese, avokate, apo cfarë do lloj profesioni ndërton shoqërinë tone në mënyrë perfekte për t’u quajtur “vënd europian”. E në se ti nuk më dëgjon kur flas, atëhere ne nuk ndërtojmë një urë bashkë, por një murë të madh, ku ti rri në një anë dhe vesh kostumet e tua dhe unë, laj xhinset e mia blu sa herë që plurosen, për një jetë të tërë.
Me respekt,