Kol Haxhija, babai i dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia të ekzekutuar pranë tregut të makinave në Shënavlash të Durrësit pasditen e 27 prillit 2020, tregon se servisi dhe lavazhi ishin hapur me një kredi që kishin marrë në bankë.
“Besmiri dhe Tori kishin hapur një servis makinash me të cilin punonin dhe një lavazh. I bëj thirrje medias që të mos hedhin hi pasi nuk e dinë çështjen e djemve të mi. Kam hyrë borxh, kredi, kam marrë kredi prej 40 mijë euro, kam vendosur shtëpinë peng”, thotë ai.
Kol Haxhija i kërkon shtetit të zbulojë dhe arrestojë autorët e atentatit ndërsa medias të jetë e matur.
Vrasja e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës mbetet ende pa autor, ndërsa burime nga grupi hetimor thonë se e lidhin këtë vrasje edhe me një ngjarje të rreth një muaji më parë, ku një sasi prej 30 kg heroine dhe kokaine u kap në brigjet e Barit në një kamion të modifikuar.
Pas informacioneve të autoriteteve italiane për palën shqiptare ka dyshime se modifikimi mund të jetë kryer në servisin e dy vëllezërve Haxhia.
Ndërkohë kanë vazhduar kontrollet sa i përket gjetjes së automjetit që mendohet se janë larguar autorët.