Një studim i ri tregon se pacientët me koronavirus që futen në ventilator kanë 34% mundësi për të jetuar.
Shifrat vijnë nga Qendra Kombëtare e Auditimit dhe Kërkimit e Kujdesit Intensiv (ICNARC) dhe bazohen në mostrat e 6.720 pacientëve me koronavirus, gjendja shëndetësore e të cilëve është kritike.
Nga pacientët që ishin në ventilator, rreth 2/3 nuk arritën të fitonin luftën me sëmundjen.
Të dhënat treguan se 1,744 (65.4 përqind) që ishin në kujdes intensiv ndërruan jetë, ndërsa rreth 923 (34.6 përqind) arritën të shërohen.
Për ata që kërkonin mbështetje themelore të frymëmarrjes, siç është oksigjeni përmes maskës së fytyrës, 94 pacientë (81.9 përqind) arritën të shërohen dhe rreth 198 (18.1 përqind) vdiqën.
Studimi sugjeron se procedura nuk ofron një trajtim të shpëtimit të jetës, dhe madje mund të dëmtojë pacientët, raporton noa.al duke cituar Daily Mail.
Disa mjekë kanë shprehur shqetësime se ventilatorët shkaktojnë inflamacionin e mushkërive dhe kanë paralajmëruar që të mos bëhet përdorimi i tyre i parakohshëm në kujdesin intensiv.
Scott Weingart, një mjek i kujdesit intensiv në Nju Jork, tha se pacientët me koronavirus përkeqësohen si rezultat i drejtpërdrejtë i intubacionit.
“Nivelet e larta të forcës dhe niveli i oksigjenit, të dyja në përpjekje për të kthyer në gjendje normale nivelin e oksigjenit, mund të dëmtojnë mushkëritë. Do të bëja gjithçka për të shmangur intubimin e pacientëve”, tha Scott.
Ndërsa mjekja Tiffany Osborn, një specialiste në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit, tregoi dëmet që mund të shkaktonte në mushkëri.
“Ventilatori mund të dëmtojë indet e mushkërive bazuar në presionin që duhet për të ndihmuar oksigjenin të përpunohet nga mushkëritë”, tha Osborn.
/a.r