Ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, në një intervistë për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, foli lidhur me akuzat se koronavirusi është krijuar në një laborator në Wuhan të Kinës, që ishte dhe epiqendra e këtij virusi.
Ambasadori Zhou Ding tha se shkencëtarët janë duke punuar për këtë gjë dhe duhen pritur konkluzionet e tyre për ta vërtetuar këtë.
Por, mes të tjerash, kryediplomati kinez shtoi se deri më tani shkëncetarët e shëndetit publik mendojnë se koronavirusi nuk është krijuar në laborator.
“Të gjithë shkencëtarët e shëndetit publik janë të mendimit se koronavirusi nuk është i manipuluar apo i krijuar në laborator. Ne jemi ende larg fitimit të kësaj beteje”, tha ambasadori.
Pyetje: A po heton Kina mundësinë e daljes aksidentale të këtij virusi, jo nga tregu, por nga laboratori?
Ambasadori: Është e vështirë për mua ta them këtë, por dua të them dy gjëra. Revistat shkencore dhe shkencëtarët thonë që virusi nuk u krijua në laborator. Është pikëpyetje nëse ky virus e ka origjinën në Kinë, por unë nuk dua të transmetoj lajme të rreme. Unë insistoj që kjo pyetje të studiohet dhe të ketë përgjigje nga shkencëtarët.
Para se ata të nxjerrin konkluzion, mendoj se nuk është e përshtatshme të diskutohet kjo gjë. Është e rëndësishme të përgjigjemi ku lindi virusi dhe si transmetohet ai, por në këtë moment është më i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve, sepse pandemia nuk ka mbaruar dhe nuk kemi ende ilaç kundër këtij virusi. Nëse përqendrohemi te zbulimi i vaksinës do të ishte më mirë.
g.kosovrai