Një grua shtatzënë nga Gjakova e infektuar me koronavirus, e cila ndodhej në gjendje të rënduar në Klinikën Infektive ndërroi jetë mëngjesin e së martës.
Tashmë, rezulton se mjeku gjinekolog që e ka trajtuar gruan shtatzënë ka rezultuar pozitiv për koronavirusin. Gjinekologu Albert Lila është shprehur se që nga momenti i testimit deri në daljen e rezultateve kanë kaluar rreth 20 orë.
“Për mua ishin si 20 vite pritje, derisa rezultova pozitiv”, u shpreh ai.
Lila thotë se familja e tij në bazë të protokolleve duhet të presë disa ditë për t’i kryer testimet. Mjeku shton gjithashtu se nuk ka pasur kontakte me familjarë tjerë nga vet fakti se e “ka parandierë se mund të ishte infektuar për shkak të kontakteve me pacientë.”
Lila u shpreh:
“Kisha një kollë të thatë si diçka që të mbet në fyt dhe një ndjesi që po mbes pa frymë. Këto simptoma ishin në ditën e gjashtë dhe të shtatë. Sot është dita ime e tetë dhe lirisht mund të them se po ndjehem mirë”. /e.s/