Politikanët shqiptarë kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Rikard Ljarja. Ai u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 77-vjeçare. Aktori prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk dilte nga shtëpia.
Për shkak të pandemisë, familjarët kanë njoftuar se ceremonia për aktorin do të jetë tepër e ngushtë.
Braçe: Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh
Një mesazh të shkurtër ngushëllimi, por kuptimplotë ka pasur zv. kryeministri Erion Braçe për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit mbrëmjen e djeshme.
“Ndritte shpirti yt nga atje lart! Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh”, shkruan Braçe.
“Humbëm një pasuri kombëtare”, Basha: Rikard Ljarja do të mbetet artisti që mbushi zemrat e shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Rikard Ljarja.
Basha shkruan në “Facebook” se Ljarja ishte dhe do të mbetet artisti i madh, që mbushi zemrat e shqiptarëve për dekada me radhë.
“Arti i tij do të na shoqërojë për gjatë në skenën e madhe të jetës, ku Rikard Ljarja spikati me qytetarinë dhe talentin e tij gjenial”, shkruan Basha.
Mesazhi i plotë:
Rikard Ljarja ishte dhe do të mbetet artisti i madh që mbushi zemrat e shqiptarëve për dekada me radhë. Ndarja e tij nga jeta është një lajm i trishtuar jo vetëm për brezat që u rritën me personazhet e filmave të tij, por dhe për më të rinjtë që humbën një pasuri kombëtare të artit dhe kinematografisë.
Në këtë ditë të vështirë për familjen Ljarja i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta bashkëshortes së tij znj. Marjeta Ljarja dhe familjes së aktorit tonë të dashur, si dhe kolegëve e miqve të tij në botën e artit.
Rikard Ljarja do të nderohet dhe kujtohet përherë si ikonë e artit shqiptar, si personaliteti që me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar. Arti i tij do të na shoqërojë për gjatë në skenën e madhe të jetës, ku Rikard Ljarja spikati me qytetarinë dhe talentin e tij gjenial.
“Ky largim i Rikardit të madh na ka pikëlluar”, Meta: Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të pazëvendësueshme!
Presidenti Ilir Meta shpeh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Rikard Ljarja.
Meta shkruan në “Facebook” se ikja e tij është një hidhërim i madh dhe humbje e pazëvendësueshme për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij.
Mesazhi i Metës:
I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja.
Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e Tij, për teatrin dhe kinematografinë shqipare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij.
Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ljarja, Marjetën e dashur, fëmijët, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë artdashësit shqiptarë.
Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar si vetë trashëgimia e çmuar që la pas me talentin, pasionin dhe krijimtarinë e shkëlqyer!
Ruçi mesazh ngushëllimi: Peng që nuk e përcjellim siç e meritonte
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja: Pjesë e vetëdijes artistike të kombit
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet e tij për ndarhen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja. “Iku një emblemë e kinematografisë dhe artit shqiptar, që krijoi për të gjithë ne figura vetëmohuese. Rikard Ljarja është pjesë e vetëdijes artistike të kombit. Ne jemi rritur me personazhet e Ljarjes midis nesh. Ai ka frymëzuar e do të frymëzojë brezat me jetën dhe me personazhet e tij. Me veprën e vet, Rikard Ljarja na la kumtin se madhështia krijohet prej thjeshtësisë dhe përsosmëria prej përkushtimit. Peng për të gjithë ne që nuk e përcjellim siç e meritonte.”, shkruan në mesazhin e tij të ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Namik Dokle për shuarjen e aktorit: Iku në një kohë tjetërsojshme, do të zbresin yjet ta përcjellin
Ish-deputeti Namik Dokle ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja.
Dokle e cilëson tronditëse humbjen e artistit të madh. Ndërkohë, në një mesazh në rrjetet sociale shkruan mes të tjerash se Ljarja iku në një kohë tjetersojshme, kur askush nuk mund ta percjellë.
Mesazhi i Namik Dokles:
U SHUA NJE YLL…RIKARD LJARJA!
Lajm trondites, vdekja e aktorit te shquar Rikard Ljarja.
Dhe ne nje kohe te tjetersojshme, kur askush nuk mund ta percjelle.
Por jo! Do te zbresin yjet dhe do ta percjellin kete yll te kinemase dhe te teatrit.
Ashtu si ne skenen epike, kur Ajkuna vajton Omerin…
“Lamtumirë mik”, Rama mesazh për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një statusi në facebook, pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Rikard Ljarja.
“Lamtumirë mik”, shkruan Rama në një postim në facebook, ndërsa ndan foton e “Dedës”, një prej roleve më të njohur të aktorit të ndjerë, në filmin ‘Rrugë të Bardhë”.
Aktori dhe regjisori i mirënjohur Rikard Ljarja, u nda nga jeta mbrëmjen e kësaj të hënë në moshën 77-vjeçare. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
“Fotografia e tij mbi shtyllë na ka mbetur në mendje”, Balla: Shqipëria humbi kolosin e artit kinematografik
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të yllit të kinematografisë, aktorit dhe regjisorit të madh, Rikard Ljarja.
Balla shkruan në “Facebook” se Shqipëria ka humbur një ndër kolosët e artit kinematografik, regjizorin dhe aktorin e madh, ndërsa shton se shqiptarët janë rritur me filmat e tij
Mesazhi i Ballës:
RIKARD LJARJA 1943 -2020. Shqipëria humbi mbrëmë një ndër kolosët e artit kinematografik, regjizorin dhe aktorin e madh Rikard Ljarja. Nuk mund të përmblidhet me fjalë vlerësimi dhe respekti për këtë njeri të madh të kinemasë dhe filmit shqiptar. Ne jemi rritur me filmat shqiptarë dhe Rikard Ljarja ishte një figurë e dashur e shumë pozitive, aq sa dhe regjizorët nuk mbaj mend t’i kenë dhënë ndonjë rol negativ. Nuk është vetëm Deda, i cili mbetet një rol i spikatur e që fotografia e tij mbi shtyllë na ka mbetur në mendje, por edhe shumë e shumë role të tjera, që nuk do t’i harrojmë dot kurrë. Edhe një herë që mbaj mend kishte një rol negativ, mos gaboj, atë të xhandarit tek “Yjet e Netëve të Gjata”, përsëri edhe në atë rol Ljarja do t’i jepte pozitivitet. Ngushëllime familjes Ljarja.