Kryetarja e grupit parlamentar në Kuvend, Rudina Hajdari i ka shprehur shqetësimin ambasadores amerikane Yuri Kim lidhur me ndryshimet në Kodin Penal për situatën e COVID-19 dhe dënimeve.
Hajdari i tha Kim në një video- konferencë se ndryshimet në Kodin Penal janë të panevojshme dhe cënojnë Kushtetutën si dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
STATUSI I RUDINA HAJDARIT
Kënaqësi të bashkëbisedoja nëpërmjet video-konferencës me Ambasadoren amerikane Znj. Yuri Kim, mbi situatën e tanishme në Shqipëri.
E informova për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen shumë familje shqiptare, realitet të cilin e kam prekur këto ditë teksa jam munduar të ndihmoj sado pak këto familje në nevojë.
Gjithashtu shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cënojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjeta rastin të falenderoja ambasadoren për kontributin e SHBA-së, me pajisje personale të mbrojtjes nga programi për Asistencë Humanitare i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e punonjësve të shëndetit në vijën e parë të luftës kundër COVID-19. /e.s/