Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat Rudina Hajdari i sheh të panevojshme ndryshimet në Kodin Penal sa i përket ndëshkimeve për ata që shkelin masat e marra prej koronavirusit.
Në një intervistë për Report tv, Hajdari mendon se këto ndryshime nuk mund të zbatohen.
“Grupi demokrat e ka disktuar dhe jemi në të njëjtin mendim se ndryshimet në Kodin Penal janë të nxituara, të panevojshme të pajustifikuara dhe të pazbatushme. Jemi në një situatë goxha të menaxhueshme. Nuk besoj se këto masa janë të nevojshme. Nëse ka vakum të Kodi Penal duhet tparë në vijim, duhet diskutuar me ekspertë dhe jo në këtë mënyrë, sepse i gjithë informacioni është centralizuar, nuk ka transparencë se çfarë po ndodh. Ne duhet patjetër që t’ja dalim dhe nëse thirrjet për bashkëpunim janë të sinqerta nuk duhet të mbajë informacionin të centralizuar”, shprehet Hajdari.
Grupi parlamentar demokrat i ka bërë kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të shtuar edhe 1 orë në diskutime në seancën e 16 prillit pasi sipas tyre 2 orë nuk janë të mjaftueshme për të diskutuar 24 çështje.
“E kemi parë me vëmendje çështjen e orarit dhe e kemi diskutuar edhe në Konferencën e Kryetarëve, duke qenë se kemi pasur në mendje të kufizojmë kohën dhe mos të qendrojmë në parlament për një kohë shumë të gjatë. Por mendoj se koha prej 2 orësh është shumë e pakët lidhur me pikat që do të kemi në rendin e ditës për seancën e datës 16 prill, që do të jetë një seancë e jashtëzakonshme. Për ti ardhur në ndihmë deputetëve, për dëshirën që ata kanë që të diskutojnë mbi këto pika dhe ne nuk duhet t’ia kufizojmë fjalën sepse kemi vendosur që të kemi variantin që u disktutua për të pasur të gjithë deputetët të pranishëm, e për këtë arsye nuk duhet tu kufizojmë as fjalën. Unë i kam bërë një kërkesë kryetarit të Kuvendit që të shtyj këtë kohë që kemi në dispozicion, deri në 3 orë jo dy orë që të kemi më shumë kohë”, shprehet Hajdari.
Ndërsa për reformën zgjedhore që është shtyrë për në qershor, Hajdari shprehet se brenda 2 muajve tryeza e reformës do të mblidhet.
“Gjendja aktuale e ka bërë dhe mënyrën si kemi operuar me reformën zgjedhore por afatet duhen respektuar. Ne kemi një hark kohor që duhet ta respektojmë. Do gjejmë një akt veprimi se si do vijojmë, por brenda këtij harku 2 mujor do mundohemi të ulemi dhe të shohim mënyrën më efikase për të diskutuar për reformën zgjedhore”, thotë ajo.
g.kosovari