Policia e Shtetit ka reaguar pas zgjatjes së kufizimit të lëvizjes që filloi ditën e djeshme, duke deklaruar se zgjatja e fashës së orarit nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar”.
Përmes një deklarate për mediat, policia u tërheqi vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.
Policia sqaron se është e lejuar vajtja dhe kthimi në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi në banesa në fashën e dytë orare 16:00-17:30.
Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve të përftuara, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen.
Gjithashtu, të gjithë qytetaret të cilët janë pajisur me autorizim individual nga aplikacioni e-Albania nuk duhet të largohen më shumë se 500 m nga banesa, pasi në rast konstatimi të shkeljes së këtij rregulli, do të ndëshkohen me masë adiminstrative njësoj si ata që lëvizin pa leje.
Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19. /e.s/