Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar një rekord që asnjë vend deri më tani nuk e ka përjetuar. Në vetëm 24 orët e fundit kanë humbur jetën 2100 pacientë duke kapur totalin e 20,580 vdekjeve.
Tanimë Amerika ia ka kaluar edhe Italisë për nga numri i atyre që kanë humbur jetën, si dhe për infektimet, ku deri më tani numërohen mbi 533 mijë të prekur.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka deklaruar se numri zyrtar i viktimave në SHBA nuk është i plotë.
Në Nju Jork epiqendra e pandemisë në SHBA, numri i vdekjeve në orët e fundit shkoi në mbi 777 persona, duke e çuar totalin në më shumë se 7.800. Por autoritetet bëjnë me dije se numri i pacientëve në pavionet e kujdesit intensiv ka pësuar rënie për herë të parë që nga mesi i muajit Mars dhe po kështu edhe numri i atyre që shtrohen në spitale.
Që nga e shtuna, çdo shtet i vetëm i SHBA ka deklaruar gjendjen e katastrofës si përgjigje ndaj shpërthimit të pandemisë së Covid-19.
Përkundër paralajmërimeve të ekspertëve të shëndetit, Trump është shprehur se planifikon që t’i lehtësojë masat shtrënguese më shpejt nga ç’pritet. Ai është shprehur se njerëzit duhet të kthehen sërish në punë pasi ekonomia amerikane do të bjerë në një recesion të vërtetë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka zgjatur masat shtrënguese në vend deri më 30 Prill. Si fillim Trump shpresonte që vendi të ishte i hapur përpara Pashkëve, por reagimi i rreptë i mjekëve e detyroi që ta shtynte sërish datën.
Ndërkaq në Uashington autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit të një fondi për stafin mjekësor që është në vijën e parë të pandemisë. Propozimi i demokratëve bën thirrje për një tarifë prej 13 dollarësh në orë mbi pagën që ata marrin.