Edhe në këto kohë të vështira Cristian Panucci nuk e harron aventurën me kombëtaren shqiptare që në fund rezultoi një zhgënjim i vërtetë. Tekniku italian ka dhënë një intervistë për “Corriere Dello Sport”, ku mes të tjerash ka folur edhe për eksperiencën kuqezi. Ndryshe nga opinioni i përgjithshëm i krijuar në Shqipëri dhe rezultateve gjithashtu, italiani i thur elozhe vetes dhe sulmon ashpër Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Jam i kënaqur. Mora skuadrën që ishte në vendin e katërt në grupin kualikues dhe doli e treta. Kam bërë një punë të pabesueshme. Me Rejan tani dolën të katërtit në grup, siç i kisha thënë unë presidentit. Në Kombëtare shqiptare edhe tani ka shumë lojtarë që afrova unë, bëra të debutonin 26 të tillë.
I bindja, udhëtoja shumë për të folur me prindërit e tyre por lojtarët nuk duan të vijnë në kombëtare, nuk janë të lumtur me Federatën. Futbollisti që ka dhënë më shumë është Taulant Xhaka, ka një vëlla që luan te Arsenali, i cili ka zgjedhur kombëtaren zvicerane.
Nuk e donin në Kombëtare se kishte sjellje pak profesionale, por e kam grumbulluar gjithmonë, i kam folur si burri-burrit, nëse kisha një lider, ishte ai. Më vjen keq kur lexoj se kanë rindërtuar grupin kur grupin e ndërtova unë. Kam marrë një skuadër që duhej të rindërtohej, shumë. Lojtarë shkova t’i kërkoja, nuk dëshironin të vinin. Shumë janë kosovarë, mund të zgjedhin të luajnë për Zvicrën, e kanë të vështirë të kenë ndjenjën e përkatësisë”, është shprehur ish-trajneri i kombëtares shqiptare.
g.kosovari