Nga Ben Andoni
Nëse zhvillimet rajonale do të ishin normale, atëherë edhe Kosova do të ishte fare normale. Pra, që fillimisht do t’i hiqeshin vizat, sepse i bëri të gjitha detyrat e kërkuara nga BE-ja, madje duke falur edhe tokë nga hapësira e saj; pak vendet e mbetura evropiane që nuk i njihnin pavarësinë do t’a njihnin dhe vetë Kosova do të ishte e integruar normalisht në Ballkan, pa ndihmën e foosnotave etj.
Në fakt, nuk ndodhi asgjë nga këto, ndërsa po të ndiqje dy ditë më parë Albin Kurtin në parlament në diskutimin e tij, pak çaste para se të votohej mocioni, kuptoje trishtimin e madh se ku gjendej Kosova e sotme në qerthujt e egër të diplomacisë. Më qartë se aq nuk kishte: Dikur përfaqësuesit e QUNTIT-it, pesë përfaqësuesit e shteteve kryesore që e kanë të njohur Kosovën, i kërkonin heqje taksash të njëanshme, kurse Serbisë ndalimin e fushatës intensive të mosnjohjeve, kurse tani Ambasadori Grenell detyronte Kosovën për taksën, por nuk thoshte asgjë për Serbinë!!! Albin Kurtit iu desh të tregonte në foltore me gjestikulacione të tepruara se ambasadori Grenell ishte lakonik dhe i prerë: Të hiqet taksa 100% por asgjë për serbët! Gashi, që prezantoi mocionin kundër qeverisë Kurti, e arsyetoi shumë mirë, por megjithatë një pyetje mbeti mbi kokat e të gjithëve: vallë edhe me gabimet e kryeministrit, nuk mund të kishte jetë dhe pak javë kjo qeveri mu tanimë në pikun e pandemisë?!
Në fakt, Kosovën mund ta lexosh më mirë nga Serbia, por asesi nga burimet që artikulohen nga Prishtina. Dhe, një zë që është artikuluar prej andej dhe ka hedhur dritë më qartë nga të gjithë ka qenë ai i presidentit Vuçiç dhe një nga opozitarët e tij më të hidhur: ish-ministri i Jashtëm Jeremiç. I pari ka pranuar se për vendin e tij do të ketë zgjidhje të rënda (për kohën ka gabuar deri më tani), kurse Jeremiç, njohësi mirë i kulisave diplomatike, e ka thënë hapur se për Kosovën po negociohet dhe tashmë është mundësuar ulësja e saj në OKB.
Ndërkohë, Serbisë i është bërë e qartë, të paktën nëpërmjet Presidentit, se do ta njohë Kosovën, përkundrejt çmimit të heqjes së saj nga preambula e Kushtetutës, por ende nuk na është zbuluar se çfarë Kosova do të japë si shkëmbim!!! Fushata e lodhur e Ivica Daçiç, Ministrit të Jashtëm serb nuk është asgjë më shumë sesa një justifikim i qeverisë së tij, për t’i treguar popullit të vet se ne po luftojmë ende për Kosovën. Por, prit. Të mjafton të shikosh interesin e Serbisë për Kosovën në këto ditë pandemie por edhe vetë Shqipërisë të kuptosh se Kosova është e vetme. Ndaj, shpallja e pavarësisë është akti më i madh i saj. Kosova është realisht e vetme në rrugën e saj, ndaj uniteti i duhet shumë më tepër sesa dukjet.
Kuptohet se gjëja që e frikëson më shumë faktorin politik kosovar është një dhe vetëm një: Panjohja për atë që e rrethon. I vetmi që duket se di gjithçka është presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kolegu i tij serb Vuçiç. I pari është njeriu që jo thjesht drejton, por është padyshim njeriu më i fortë i Kosovës, sepse di mirë konjukturën amerikane, ashtu si edhe kolegu i tij serb. Që duket se pandemia e COVID-19 e ka ndalur, por shumë shpejt do të shpalosë, kur të fillojnë ethet e garës elektorale në SHBA. Dhe, mu atëherë do të kuptojmë sesa të paditur jemi. Më qartë nga të gjithë e thotë analisti Serwer, që edhe përkundrejt deklaratës së orëve të fundit të Departamentit të Shtetit lidhur me Kosovën, e sqaron me një mesazh: E rëndësishme është ajo që nuk thuhet!
Dhe, ajo që nuk thuhet e sqaron mirë Jeremiç: Kosova do jetë patjetër në OKB, por me çfarë çmimi për Serbinë?
…
“Në këtë kohë pasigurie, i nxisim udhëheqësit e Kosovës që t’i përmbahen Kushtetutës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Jemi të përkushtuar për të punuar me çfarëdo qeverie të formuar përmes procesit kushtetues”, thuhej në deklaratën amerikane, po pse vallë kur respektohet Kosova inkurajohej nga Kosnett, ambasadori i saj në Prishtinë, mocioni kundër qeverisë?! Pse nuk tregohet që pse vetëm Kosova duhet të lëshojë?! Serwer sërish na e shkoqit se: “Qëndrimi se Grenelli nuk ka parë kurrë ndonjë plan, nuk është i besueshëm. Disa plane, me origjinë të paqartë, janë publikuar. Presidentët Thaçi dhe Vuçiq i janë referuar diskutimeve për shkëmbim territoresh. Madje edhe nëse SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në to (gjë që ka pak gjasa të ketë ndodhur), inteligjenca amerikane do të kishte raportuar për këto diskutime, përfshirë edhe për hartat e shkëmbyera. Grenelli është ushtrues detyre i Inteligjencës Shtetërore amerikane”.
Pra, duket se jemi në stadin që kemi frikë nga e panjohura sepse kemi frikë nga ajo që nuk e kuptojmë ose më mirë që nuk na bëhet e njohur nga askush, ashtu si ndodh rëndom në pragun e ndryshimeve të mëdha. E dimë se njohja ose sqarimi i diçkaje na jep avantazhin sepse ne vetëm kështu dimë se çfarë të parashikojmë nga situata. Por Kosova, ende, nuk di se çfarë do ndryshojnë vendimet e Hagës për njerëzit e saj dhe presionin nëpërmjet këtij institucioni, ashtu si nuk di realisht se çfarë ka vendosur kumbari i saj SHBA.
Veçse një gjë kuptohet lehtë: Projekti për njohjen e Kosovës duhet të jetë gati, por sa do t’i vlejë asaj, me lëshimet e mëdha që do të bëjë dhe kinse nuk i di askush?! Albin Kurti nuk mundi ta parashikonte dot sepse SHBA i ka ngritur një mur, që ai nuk do mund ta kalonte dot për asnjë arsye. Të tjerët, që sot fërkojnë duart, të mos kënaqen se janë sërish pas atij muri, që gjendet para Kosovës. I hidhur. I pazë. (Javanews)