Jo pak, por 99 për qind e viktimave të shkaktuara nga koronavirusi në Itali ishin pacientë me probleme të mëparshme shëndetësore. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri i realizuar nga Shërbimi Shëndetësor i vendit.
Studimi i 355 rasteve të vdekjeve nxori në pah faktin se vetëm tre prej viktimave, 0.8 për qind, nuk kishin pasur probleme të tjera shëndetësore përpara se të infektoheshin, shkruan “abcnews”.
Thuajse gjysma e tyre, 48.5 për qind, kishin tre ose më shumë probleme shëndetësore përpara se të diagnostikoheshin me Covid-19. Pjesa tjetër, 25.6 për qind kishin pasur patologji të tjera, ndërsa 25.1 për qind kishin pasur një të tillë.
Studimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Itali është në përputhje me gjetjet e mëparshme se njerëzit me sëmundje ekzistuese ka më shumë të ngjarë të humbin jetën nga koronavirusi.
Sipas këtij kërkimi, më të zakonshmet nga këto probleme në Itali përfshijnë tensionin e lartë, sëmundjet e zemrës dhe diabeti. U zbulua gjithashtu se rreth 76.1 për qind e pacientëve që humbën jetën nga Covid-19 kishin më parë probleme me presionin e lartë arterial.
Më shumë se një e treta, 35.5 për qind – kishin pasur diabet, ndërsa 33.0 për qind kishin vuajtur nga sëmundje ishemike e zemrës. Italia mban sot numrin më të lartë të viktimave si pasojë e koronavirusit, 3 405, duke ia kaluar kështu edhe Kinës.