Gjatë qëndrimit në Shkup, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me Ministren për Fqinjësinë Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
“Pavarësisht largimit nga BE, Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetëse e fuqishme e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.” – theksoi Kryediplomati në një reagim në facebook, lidhur me takimin.
Më tej, Cakaj shprehu mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e saj dhënë Shqipërisë në të gjitha fazat e zhvillimeve demokratike dhe në aspiratat e patjetërsueshme evropiane.
Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Ministri në detyrë Cakaj u shpreh se, bashkërisht me Ministren Morton, vlerësuan nevojën për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe me disa marrëveshje të reja dhe gjithashtu u pajtuan për të shtuar komunikimin në një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë.