Ish deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se Shqipëria duhet të shpallë sot gjendjen e emergjencës për koronavirusin.
“Kjo gjykoj se është e domosdoshme duke u bazuar se pari në gjendjen epidemiologjike rajonale, si dhe: Ne ecurinë e kësaj epidemie në Itali, ku tashmë ka dalë nga “Zona e kuqe” duke marrë dimensione të mëdha në të gjithë territorin, me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, vend me të cilin neve kemi shkëmbime të gjëra dhe që ka implementuar masa energjike”-, u shpreh Shehu.
“Duke u bazuar në rritjen shumë të shpejte të rasteve të infektuara në Greqi, masave të emergjencës që sot pritet të shpallë dhe ai vend, me te cilin në gjithashtu kemi shkëmbime të mëdha. Në rastet e diagnostikuara se fundmi dhe në vendet e tjera të Rajonit. Ne kemi dobësitë të mëdha në sistemit tonë shëndetësor, gjë që manifestohet si në nivel diagnostikimi, parandalimi, ashtu dhe mjekues”, shprehet ai.
Po ashtu Shehu shton se, “pavarësisht se zyrtarisht ne “nuk kemi” akoma asnjë rast të deklaruar, në këto kushte duhet shpallur gjendja e emergjencës së pari për periudhën prej sot deri më 16 mars, praktikë kjo e aplikuar edhe nga shtete të tjera të zhvilluara”.
“Në tërësi masat duhet të jenë të nivelit të atyre të aplikuara në Itali si shtet për jashtë “Zonës së saj të Kuqe”, për të cilën sot hyri në fuqi një regjim tjetër shumë më i fortë. Kështu këto duhet të përfshijnë me transparencë vendime organizative, përmirësime urgjente të sistemit shëndetësor, dislokime adekuate fondesh, mobilizim të të gjitha resurseve njerëzore e materiale, mbyllje të shkollave, aktiviteteve sportive dhe të ngjashme përfshi ditën e sotme, etj. Është e domosdoshme që dhe Presidenti i Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare me drejtim shëndetësor. Në këto situata duhet vepruar sa me shpejt, sepse të vazhdosh të luash rolin e “trimit” të papërgjegjshëm, mund të rrezikosh rëndë qytetarët”, tha ai.