Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin COVID 19 në Shqipëri. Deri tani janë testuar 29 raste në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, të cilat pas testimit rezultuan negative.
Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë. Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare.
Në 24 orët e fundit thirrjet në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel udhëtarëve që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.
MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.
Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:
Në nivel global, janë raportuar në total 87 024 raste të konfirmuara me COVID-19, dhe në total 2979 vdekje.
Azi: 85 369 raste të konfimuara, 2946 vdekje
Afrikë: 3 raste të konfirmuara
Amerikë: 96 raste të konfirmuara, 1 vdekje
Oqeania: 26 raste të konfirmuara, 1 vdekje