Nga Alfred Peza
Ka një kontradiktë shumë të madhe orët e fundit, ku nga njëra anë i bëhet jehonë me një zell të pashoq lajmeve të rreme që përhapin panikun për mbërritjen e koronavirusit në Shqipëri, e nga ana tjetër vijojnë mesazhet për ti ftuar qytetarët që të marin pjesë masivisht në tubimin e 2 marsit, të thirrur nga Ilir Meta.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për autorët dhe burimin e këtyre lajmeve. Por zelli për ti bërë jehonë edhe përmes mediave të ndryshme dhe përfaqësuesve politikë, alarmeve të rreme të përhapura të dielën në rrjetet sociale për koronavirusin, ështe e sigurtë se më shumë sesa dëmtojnë qeverinë, do të dëmtonin pikësëpari aksionin më të ri opozitar me protesta, mitingje apo “besëlidhje” në bulevard.
Shumë qytetarë i ndjekin me vëmendje të shtuar këto kohë zhvillimet rreth koronavirusit nëpër botë dhe me siguri kanë mësuar se atje ku ka raste zyrtare të prekurish apo viktima, ka edhe kufizime gjithnjë e më të mëdha të aktiviteteve publike dhe tubimeve masive. Si një masë parandaluese kjo, për përhapjen e tij. Jo vetëm shkencërisht, por edhe instiktivisht qytetarët rezervohen për tu bërë bashkë në të tilla situata, duke qenë më të prirur për tiu larguar grumbullimeve me të tjerët!
Kjo sdo të thotë që strukturat përkatëse të qeverisë dhe të shtetit, nuk duhet të jenë në gadishmëri maksimale e të mos i marin të gjitha masat e duhura, aq më tepër po të kemi parasysh lajmet që vijnë nga Italia fqinje dhe nga vendet e tjera. Përkundrazi. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shqetësimet apo rastet reale, duhen adresuar menjëherë pranë mjekëve dhe institucioneve shëndetësore për tu trajtuar profesionalisht.
Nuk di të ketë raste të tjera si ky i orëve të fundit në Shqipëri, ku fenomeni i lajmeve që nxit panikun rreth koronavirusit, të shndërrohet në sport publik. Përpara se ta bëjnë këtë, duhet të kuptojnë se jemi të gjithë të barabartë përballë koronavirusit, ndaj askush nuk mund të përfitojë asgjë nëse ai vjen realisht mes nesh. E vërteta zyrtare është se “nuk ka asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri, deri në këto momente!”
Ministria e Shëndetësisë sqaroi se “informacionet që përhapen në rrugë jo zyrtare, në rrjetet sociale, media, nuk duhet të meren në konsideratë pasi nuk referojnë situatën reale dhe dëmtojnë mbi të gjitha sigurinë publike, duke përhapur panik të panevojshëm. Aq më pak, duhen besuar mesazhe zanore dashakeqe, të sajuara dhe hedhur në qarkullim njësoj si ato të pak muajve më parë, pas situatës së tërmetit”.
Është shumë e çuditshme sesi në Shqipëri mund të ketë individë, grupe apo orientime të ndryshme shoqërore, që besojnë se mund të përfitojnë nga kjo situatë. E aq më keq akoma, të mendojnë se përmes përphapjes së panikut mbi popullatën e vendit, të mund të dëmtojnë qeverinë dhe mazhorancën e saj.
Ka aq shumë tema, çështje dhe probleme me të cilat mund të bësh me të drejtë politikë në Shqipëri, të jesh kritik dhe opozitar me qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, sa duhet të jesh një makiavelist i pandreqshëm që të përdorësh edhe tërmetet e 2019 dhe koronavirusin në 2020, si mjete për arritjen e qëllimeve!