Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë afër objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet se si Hoti është sulmuar me vezë nga persona të panjohur, derisa ishte duke ecur në rrugën prapa ndërtesë së Qeverisë së Kosovës, i shoqëruar nga tre persona tjerë.
“Taksën s’ban me hjek. Taksën s’ban me hjekë”, dëgjohet të thotë personi, që mbase ka hedhur vezët në drejtim të Hotit, përcjell Telegrafi.
Paralajmërimin e Qeverisë Kurti për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet ndaj Serbisë, po e kundërshton AAK, e cila ka nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Zëvendëskryeministri, Avdullah Hoti ka reaguar pas sulmit me vezë që ju bë mëngjesin e sotëm afër ndërtesës së qeverisë.
Hoti ka thënë se ata që e kanë sulmuar sot tentojnë të mbajnë Kosovën të izoluar.
“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.
Ai në Facebook ka shkruar se qeveria e re me LDK-në do të partner kyç do ta ketë ShBA-në.
“Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në.Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar.Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale. Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoti.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas sulmit të sotëm me vezë ndaj zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti. Për partinë që drejton Isa Mustafa një sulm i tillë është akt i ulët dhe i papranueshëm që dëmton proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon Kosova.
g.kosovari