Udhëheqësit politikë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pasditen e së dielës pritet të takohen në Bruksel, një ditë para se të mbahen Konferenca e Donatorëve për fondet që pritet t’i akordohen vendit tonë, mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, disa ditë më parë vendosi datën 16 shkurt për t’u mbledhur në një takim joformal me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të BE-së.
Në këtë takim priten të jenë edhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Joseph Borrell.
Takimi mësohet se do të zhvillohet në formën e darkës së punës, është thirrur në kuadër të përgatitjeve për samitin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 maj në Zagreb.
Mediat e huaja raportojnë se edhe Franca ka zbutur së fundmi qëndrim përsa i përket vendimit për çeljen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama, prej dy ditësh në Gjermani dhe Belgjikë, është shprehur optimist për sa i përket Konferencës së Donatorëve, ku shpresohet të jepet një shumë e përafërt me dëmet që la pas tërmeti.
/a.r