Pas deklaratës publike të bërë për herë të parë nga ambasadori i BE në vendin tonë, lidhur me lajmet e përhapura për ekzistencën e një video kompromentuese ndaj tij dhe një zv/ministreje të qeverisë Rama, vjen edhe reagimi nga Presidenti Ilir Meta.
Reagimin e kreut të shtetit e ka bërë me dije zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, me anë të një postimi në faqen e tij sociale në Facebook.
“Presidenti Ilir Meta u njoh sot nëpërmjet medias me shqetësimin e rëndë të bërë publik nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, lidhur me përhapjen e qëllimtë dhe dashakeqe të disa lajmeve për gjoja ekzistencën e një video kompromentuese, me qëllim goditjen e pastërtisë së figurës së tij.
Presidenti Meta duke shprehur solidaritetin e tij të plotë me ambasadorin e BE, si edhe me një zv/ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje, bën me dije se shumë shpejt do t’i kërkojë zyrtarisht institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen pa asnjë vonesë të autorëve dhe urdhëruesit të këtij shantazhi të dënueshëm ndaj dy autoriteteve“, thuhet në reagim.
Më tej ai shton se Presidenti Meta i bën thirrje gazetarëve të distancohen urgjentisht nga çdo skenar i fabrikimit të lajmeve të rreme me qëllim shantazhimin e Ambasadorit të BE dhe çdo diplomati tjetër në Tiranë.
“Presidenti Meta fton median, opinionin publik, dhe në veçanti shoqërinë civile, të solidarizohen dhe të dënojnë këtë shantazh të paprecedent, si dhe të përqëndrohen në denoncimin dhe distancimin nga aktet e rënda të Rilindjes, për kapjen e sistemit të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, siç ishte rasti më i fundit skandaloz i miratimit të ligjit anti-kushtetues për instalimin e KRYEKÇK-së, vetëm pak orë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të kërkuar nga vetë Kuvendi.
Presidenti Meta do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin e Tij të ngushtë me BE-në, dhe do të kërkojë hetim të përbashkët për situatën tepër të rëndë dhe të patolerueshme në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë“, vazhdon më tej reagimi.
“Presidenti Meta është i palëkundur në vendosmërinë e Tij për të mbrojtur vlerat europiane“, shkruan Blushi duke theksuar se “nëpërmjet rivendosjes së besimit dhe integritetit të institucioneve të reja të drejtësisë, me besnikëri të hekurt ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë çeljen e negociatave për anëtarësim në BE dhe sundimin e ligjit në vend. 🇦🇱🤝“.
Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca është përfolur për një marrëdhënie intime me zv/ ministren e Brendshme, Romina Kuko.
Në reagimin e tij Soreca e ka cilësuar lajmin e rremë. “Lajmet e rreme janë të këqija, shpifja është e keqe. Kush janë ata që shpërndajnë lajme të këqija pas disa kohësh kjo sjellje e keqe u shkon kundër,”-tha ai i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel.
Për këtë, foli pak ditë më parë edhe Romina Kuko, e cila tha se ‘zërat’ lart e poshtë , janë goditje ‘nën brez’. Ai theksoi se këto gjëra dalin në momentin kur dikush nuk mund ta mundë kundërshtarin me argument.
g.kosovari