Dalin detaje të reja lidhur me arrestimin e Vladimir Gjutës, i cili u arrestua paraditen e kësaj të hëne pranë godinës së Partisë Socialiste, me armë me vete dhe me një shumë të madhe parash.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, 40-vjeçari ka deklaruar se shumën prej 130 mijë euro e cila iu gjet me vete, do e thyente tek zona e “Dollarit”.
Ai ka thënë se paratë do i këmbente në dollarë, pasi synonte të hapte një firmë bashkë me të atin.
Gjuta deklaron se paratë janë mbledhur nga biznesi që ka pasur dhe nuk kanë lidhje me aktivitetin kriminal. Ndërsa pistoletën që kishte në brez, e ka justifikuar për vetëmbrojtje.
“Kisha shumë para me vete, e mbaja për siguri”, mësohet të ketë thënë Vladimir Gjuta, duke mohuar ndonjë atentat të mundshëm ndaj Kryeministrit Edi Rama, siç u aludua në media.
Gjuta është shprehur se nuk ka lidhje me ndonjë atentat, ndërsa ka shtuar “se kryeministrat për të cilët ka respekt janë Sali Berisha dhe Edi Rama“.
Gjuta gjithashtu ka shprehur simpatinë për ish-presidentin amerikan Bush.
Kjo pasi arrestimi i Vladimir Gjutës u bë në momentin kur Rama drejtonte Kryesinë e Partisë Socialiste.
Policia tha zyrtarisht se ndalimi i tij 40-vjeçari Vladimir Gjuta, person me një sërë precedentësh penalë, u bë nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash.
Ai u kap në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10 shkurt, në kushtet e flagrancës. Në momentin e kapjes nga patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, Gjutës iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare.
Shërbimet e policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.
Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.
Po gjatë kontrollit të banesës së Gjutës, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilin qarkullonte.
Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka nisur hetimi pasuror për të.
Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
g.kosovari