Kina nuk po përjeton një situatë të rëndë vetëm shëndetësore. Reduktimi në minimum i aktiviteteve ka çuar në një paralizë ekonomike. Supermaketet, farmacitë, hotelet, teatrot, gjigandët teknologjik si dhe kompanitë e mëdha të prodhimit të makinave po llogarisin humbjet pasi fabrikat në Kinë do të mbeten ende të mbyllura për shkak të epidemisë.
Vetëm një anëtar i familjes mund të dalë dhe të blejë gjërat më të rëndësishme për përmbushjen e nevojave, për shkak të frikës se nuk dihet se sa kohë mund të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre.
Kompanitë e transportit që shpërndajnë mallra nga Kina në vendet e tjera të botës kanë reduktuar numrin e mjeteve detare, teksa masat për ndalimin e përhapjes së koronavirusit kanë trazuar zinxhirin global të furnizimit.
Sipas raportit të Byrosë Kombëtare të Statistikave, inflacioni i çmimeve në Kinë ka shkuar në 5.4%. Çmimet e të gjitha produkteve muajin e kaluar, kur koronavirusi filloj të përhapej, pësuan rritjen më të lartë që nga Tetori i 2011.
Sipas ekonomistëve, fajtor për rritjen e çmimeve është paralizimi i sektorit të prodhimit dhe shpërndarjes së mallrave.
Vetëm një muaj më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina nënshkruan një marrëveshje të re për të zbutur luftën tregtare.
Në bazë të pakti të ri, Kina pranoi të shtojë blerjen e produkteve bujqësore në Amerikë për dy vitet në vijim deri në 200 miliardë Dollarë me qëllim që të anashkalojë tarifat mbi importin që e kishin vënë në vështirësi nga administrata Trump.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se kjo marrëveshje nënkupton transformimin e ekonomisë globale. Por virusi shkaktoi një ‘blackout’ total të ekonomisë kineze, pasi çdo vend tanimë ka mbyllur kufijtë me Kinën, duke përfshirë SHBA, Rusinë, Hong Kongun etj., ndërsa disa të tjera kanë pezulluar të gjitha fluturimet.
Mbyllja e çdo aktiviteti si dhe mungesa e fondeve po ju a vështirëson punën mjekëve të cilët janë në luftë me kohën për të krijuar vaksinën, që sipas ekspertëve duket disi e pamundur, pasi numri i vdekjeve në 24 orë rritet me ritme shumë të shpejta.
/a.r