Nga Ben Andoni
Tirana, në këto ditë, feston 100 vjetorin e shpalljes si kryeqytet. Si një nga vendimet më të prekshme dhe më efikase të Kongresit të Lushnjës, Tirana tregoi përgjatë ekzistencës së saj, si qyteti i parë i shqiptarëve, jo vetëm integritetin por edhe atë që e kishin parashikuar me të drejtë burrat e mençëm të vitit 1920: Aftësinë e patjetërsueshme të këtij qyteti për të thithur të renë dhe për t’u përshtatur me çdo rrebesh të kohës.
Emisarët italianë, që erdhën për të përgatitur pushtimin në fillim të viteve ’30 dhe ata para tyre do të na lenë vështrimet e para sesi një i huaj, prej një vendi me tradita të jashtëzakonshme ndërtimi përshtatet por edhe i bën përshtypje. Tirana kishte shumë pak hotele dhe ato në gjendje të mjerueshme, shumë pak godina që mund të përdoreshin për atributet sociale dhe mbi të gjitha një infrastrukturë tejet modeste, për të mos thënë inekzistente. Një qytet, që dukej se kishte ardhur nga shekulli i shkuar, ashtu i paprishur, t’i kujtonte shqiptarëve se ku kishin jetuar. Ato pak shënime udhëtimesh, që na kanë lënë vizitorët e huaj e rrëfejnë më së miri përveçse shtojnë edhe si një vend pa shumë ambicie, por me shumë xhami dhe me njerëz të dashur dhe të qetë, fanatikë dhe tejet të prapambetur.
Nga këtu nisi udhën qyteti ynë, që në fund-vitet ’20 dhe duke vazhduar më pas, jo vetëm do të ngrinte një infrastrukturë moderne, por planet e para urbanistike do synojnë ta kthejnë gati një qytet me karakteristika urbane italiane. Bulevardi që do të ndërtohet shpejt, do të zgjasë Tiranën drejt një hapësire të pabanuar, nga ku do të marrin jetë godinat moderne social-kulturore dhe lagjet e tjera të qytetit.
Tirana do të presë kurbetlinjtë, refugjatë dhe emigrantë pa fund, një përpjekje që e vazhdon dhe sot e kësaj dite. Priti valët e dibranëve dhe i integroi me suskes, ashtu si valët nga qytetet e tjera duke u dhënë qytetarinë e saj, paçka se jo pak herë banorët e qyteteve të tjera ja shpërblyen aspak mirë, duke dashur të marrin e marrin pa dhënë asgjë për të.
Tirana do të njohë vetëm rritje në mesin e shekullit të shkuar, kurse regjimet ekonomiko-shoqërore të ndryshme do të lenë vulën e tyre. Ahmet Zogu do të vij me shpurën e vet, ndihur nga të huajt, për të vendosur hegjemoninë e tij. Por, trimëria për të marrë qytetin nuk do ishte njësoj me lënien e tij. Pak orë pas pushtimit, me makinën, që iu dha si dhuratë dasme nga Hitleri, do të kalonte kufirin për të mos ardhur më.
Qyteti u çlirua pak vite më vonë me të vetmen luftë anti-fashiste, që nuk kontestohet nga askush, kurse më pas do të bëhet arenë e një historie të re.
Paskëtaj, Tirana do të njohë shumë të mira, ashtu si shumë të këqija. Shumë bij të saj do të përfundojnë në burg, të tjerë do të ndërtojnë socializmin, por pa harruar të lenë në qytet historitë dhe gjithçka të bukur, ashtu si shumë nostalgji, që një komunitet i ri që ngre jetesën e tij aty do të prodhojë parreshtur.
Nga këtu nisi marshimi demokratik duke e kthyer Shqipërinë në udhën normale të popujve, kurse qyteti ynë pak nga pak po humbet identitetin e vjetër për të përqafuar një identitet të ri, me rrokaqiej dhe një trafik të frikshëm, me institucione moderne dhe me plot 895 mijë banorë, në 100 vite zhvillim të saj.
Tendenca për të ardhur në kryeqytet ka treguar peshën e qytetit tonë ,që krahasuar me vitin 1990 kur popullsia e Tiranës ishte rreth 250 mijë banorë, rritja fiksohet në masën 258%, pra rritur me më shumë se 2.5 herë, referencë e SCAN.
Tirana jonë u bë jatak për shumë e shumë breza dhe sot përjeton 100 vjetorin me një identitet të ri, sa modern aq edhe të vjetër, atë që ia kemi blatuar të gjithë me përpjekjet, dashuritë, bukuritë por edhe dështimet e gjërat e tjera…që nuk duhen përmendur tani. (Javanews)