Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë ka arritur në mbi 900, ndërsa sot për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë, Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi një lagje të Pekinit dhe një spital për trajtimin e presonave të prekur nga virusi. Ndërkohë, rritja e rasteve në Britani bëri që qeveria e këtij vendi ta shpallë virusin një “kërcënim serioz” për shëndetin publik.
Zyrtarët kinezë të shëndetit raportuan 97 vdekje të reja të dielën. Kjo e çon në 908 numrin e përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë janë raportuar 3.062 raste të reja të virusit, duke i dhënë fund prirjes shumë ditëshe të rënies së numrit të rasteve që kishte sjellë shpresat se masat e kontrollit do të funksiononin.
Me një maskë në fytyrë, Presidenti kinez Xi Jinping bëri një paraqitje publike për herë të parë pas shpërthimit të koronavirusit, duke vizituar një lagje dhe një spital në Pekin. “Duhet të kemi besim. Ne do ta mposhtim këtë epidemi”, tha presidenti kinez.
Britania raportoi të hënën katër raste të reja, duke e sjellë në gjithsej tetë numrin e personave me koronavirus. Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock shpalli virusin një kërcënim për publikun për t’i dhënë qeverisë më shumë fuqi për të izoluar të sëmurët në përpjekjen e saj për të shmangur përhapjen e tij të mëtejshme.
Në Japoni, një anije turistike mbetet në karantinë në Yokohama me 66 raste të reja të raportuara të hënën, më shumë sesa dyfishi i numrit të rasteve të njohura në bord.
Anija Diamond Princess (Princesha e Diamantit) u urdhërua të mbetej në karantinë javën e kaluar pasi një pasagjer i saj, i cili zbriti nga anija në Hong Kong rezultoi se ishte prekur nga koronavirusi.
Epiqendra e shpërthimit të koronavirusit është në provincën Hubei të Kinës, ku miliona njerëz vazhdojnë të jenë të izoluar. Në zonat e izoluara njerëzit po ankohen për mungesa ushqimore.
Zyrtari kinez i tregtisë Ëang Bin tha të dielën se ka mungesa në logjistikë, rritje të çmimeve dhe mungesë të krahut të punës. “Është e vështirë që furnizimi i tregut të arrijë nivelet normale,” tha ai. Aktualisht, ai tha se ka një furnizim pesë-ditor të mishit të derrit dhe vezëve, dhe furnizim tre-ditor të perimeve.
Banka Qendrore e Kinës vuri në dispozicion 300 miliardë juanë (43 miliardë dollarë) për të ndihmuar bizneset e përfshira në luftimin e epidemisë. Joseph Eisenberg, profesor i epidemiologjisë në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Miçiganit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte shumë herët për të thënë nëse epidemia ka arritur kulmin për shkak të paqartësisë mbi numrin e rasteve.
“Edhe nëse rastet e raportuara mund të kenë arritur kulmin, ne nuk e dimë se çfarë po ndodh me rastet e paraportuara,” tha ai. “Kjo është veçanërisht një çështje problematike në disa nga zonat më rurale”, tha zoti Eisenberg.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi është më i lartë se ai i sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (SARS) që shpërtheu në vitet 2002-03, i cili besohet se ka vrarë 774 njerëz dhe të ketë sëmurë gati 8,100 njerëz në Kinë dhe në Hong Kong. /Voa/