Nga Leonard VEIZI
INTERVISTA II/ Inxhinieri i njohur Petraq Kolevica rrëfen për artin dhe idenë e ndërtimit në epokën komunistë të vendit
Për herë të parë në Shqipëri po ndërtohej një godinë shumëkatëshe që edhe pse nuk i përmbushte kushtet për të qenë një “grataçielë” sërish do të ishte tërësisht dominuese mbi të tjerat. Përveç kryeqytetit, Tiranës, askush nga qytetet e tjera nuk mund të kishte këtë privilegj. Dhe firma ishte dhënë nga lart: Të ndërtohen 15 kate në qendër të kryeqytetit…
…Tirana kishte hotel hotel “Dajtin” të ndërtuar nga italianët, por arkitektët gjithsesi ishin të pa përgatitur për të modeluar një hotel klasi ku mund të kënaqej dhe syri i çdo turisti të huaj që do të akomodohej në të. Duke kujtuar periudhën si pjesëtar i projektit në fjalë, Petraq Kovevica thotë:
– Si lindi ideja që në Tiranën me katër dhe pesë kate të nderohej një “pesëmbëdhjetë katesh”?
Ishte viti 1972. Tashmë isha bërë i njohur si arkitekt me projektet e banesave të ndërtuara në Tiranë e në Korçë, si dhe në shkrimet e herëpashershme në shtypin e përditshëm, mbi probleme të arkitekturës. Ishte bëre takimi i parë kombëtar i arkitektëve, ku ndonëse në radhën e dytë, isha në tribunë dhe fola në atë takim. Në këtë kohë, pushteti donte të bënte diçka që të dukej, të bënte përshtypje në popull e në ata pak të huaj që vinin. Si mjet efikas u gjend ndërtimi i hoteleve turistike nëpër qendrat e qyteteve kryesore, ku mund të bëheshin ndërtime disi të larta.
Arkitektëve, kjo gjë, u pëlqente shumë, se ishin të etur të projektonin objekte të këtij lloji. Pra, interesat e pushtetit dhe të specialistëve në këtë pikë shkonin paralel. Gjithashtu, linja moderne në arkitekturë, tashmë ishte bërë fakt dhe ndihmonte në projektimin e hoteleve. Në këtë atmosferë, na u dha lajmi i bujshëm, se do të projektohej hoteli i madh në qendër të Tiranës. Vendi i ndërtimit dhe forma relativisht e lartë e objektit, ishte caktuar që më parë nga disa studime urbanistike, të bëra për qendrën. Rëndësi kishte se kush do ta projektonte.
– Dhe kujt do t’i besohej ky projekt?
Kur ishte fjala për projektim objektesh të tilla të rëndësishme, udhëheqja shtetërore e partiake e Ministrisë dhe e Institutit të projektimeve, nën parullën banale të “luftës kundër individualizmit”, e kishte gjetur çelësin e artë. Krijonte një grup pune “me specialistët më të mirë”. Edhe për projektimin e hotelit të Tiranës, ky çelës hyri fort në punë. U krijua grupi i punës, ku ishin: V. Pistoli, K. Çomi, M. Pepa, nga Instituti, Petraq Kolevica nga Zyra e Projektimit e Komitetit Ekzekutiv Tiranë, si dhe disa arkitektë, që posa kishin mbaruar fakultetin, por që duhej t’u hapej vendi në Institut, si K. Kolaneci, N. Theodhosi, etj. Të gjithëve na mblodhi drejtori, S. Angoni dhe na propozoi që të si kryetar grupi Valentina Pistolin, që – siç tha ai – është arkitekte me përvojë, anëtare partie… Shpejt, filloi puna.
Para se te hiqja vijën e parë, e kisha vendosur të thosha deri në fund fjalën time, megjithëse e dija që nuk do të dëgjohej. Kjo ma bënte më të lehte të mos kërkoja bashkëpunim. Gjithashtu M. Pepa, për arsyet e veta, e dinte që nuk e kishin për zemër, as të rinjtë e as të vjetrit, prandaj dhe ai u përpoq të punonte i pavarur. K. Çomi dhe bijtë e baballarëve të mëdhenj, u afruan me shumë si fraksion i padukshëm i grupit. Valentina mundohej ta dridhte shkopin e dirigjentit, por orkestra me instrumente frymore të atij grupi, ekzekutonte melodi të parapëlqyera. Për fat të mirë, te gjithë e pranuam mangësinë e madhe që kishim: Ne, që do të projektonim hotelin e madh të Tiranës, nuk kishim parë asnjë hotel turistik të vërtetë.
– Çfarë masash do të merreshin pas pranimit të këtij “handikapi”?
E ngritëm problemin në Ministri. Nga Komiteti i Partisë ndihmoi F. Paçrami dhe Ministri Rahman Hanku, keqdashës i deklaruar i arkitektëve, mbeti ngushtë dhe tha: “Mirë, le të venë në Jugosllavi, por unë kaq para kam. Me këto para le të shkojnë. Për sa ditë do t’u sosin, aq le të rrinë”. E pranuam. I mbushëm valixhet tona me sallam, konserva e kaçkavall, na dhanë një mikrobus, prodhim polak, na dhanë ato të shkreta pasaporta për jashtë shtetit dhe u nisëm. Ishim gjashtë përfaqësues të Turizmit. V. Pistoli, F. Stërmasi, K. Çomi, P. Kolevica, R. Agalliu dhe shoferi. Fjetëm një natë në Shkodër dhe të nesërmen ishim në Titograd. Të pritur nga përfaqësuesi i Turizmit, filluam me hotelet aty. Shihnim me radhë ambientet, merrnim ndonjë përmasë. Unë kisha marrë aparat fotografik dhe fotografoja gjërat që më dukeshin me interes.
Pas Titogradit, i ramë përgjatë bregut të Dalmacisë, nga Dubrovniku, deri në Rijeka e pastaj në Slloveni (në Lubljanë, ku pamë hotelin “Sllon”) e zbritëm poshtë, duke parë hotelet në Zagreb, Beograd, Shkup. Pastaj nuk pati interes tjetër, përveç se natyra e bukur e Shën Naumit, Kisha e Manastiri i atjeshëm, disi Struga dhe kaq. Në dy javë udhëtimi të lodhshëm, pas kësaj fasade, që mund të duket e bukur hapej kapaku i varfërisë së turpshme. Pesë inxhinierë, të njohur në vendin e tyre, hanin bukë e djathë, apo bukë e sallam e ndonjë konservë duke ikur udhëve me makinë, pa guxuar të hynin në ndonjë gjellëtore, të hanim makar një supë orizi të ngrohtë. Flinin nëpër hotelet më të lira të periferive dhe copat e sallamit e të djathit, që ende nuk i kishin ngrënë, i vinin natën jashtë dritares, që t’u rrinin në fresk e të mos u prisheshin.
Në aventurën e trishtuar të të ushqyerit tonë autarkik, nuk do të mund të harroj të gjorën Valentinë: Si ushqim, ndër të tjera, ajo kishte marrë një pulë të zier. Ditët e udhëtimit ishin të nxehta, ca më shumë brenda në makinë dhe pula filloi të binte erë. S’ mbetej veçse të hidhej. Pastaj, gjatë rrugës, e gjora Valentinë, mblidhte fara trëndafili të egër, se, siç i kishte thënë Cirili, kishin shume vitamina dhe Valentina bënte me to çaj dhe njomte bukën. Po, Valentina Pistoli, që kishte punuar një çerek shekulli si arkitekte! Nga dieta mizerabël, mundoheshim të kursenim diçka, për të blerë diçka.
Si do të vazhdonte puna pas kthimit në Shqipëri?
Pas kthimit, puna filloi edhe më intensive. Diskutuam të gjithë e ramë me zgjidhjen planimetrike të katit, të formës, mobilimit e të dhomave, banjave e ambienteve të tjera. Me vizatimin, konkret të tyre u mor kryesisht Valentina. Kur erdhi puna e trajtimit arkitektonik të fasadave, mendimet u ndanë. Ndërkohë po formohej një si variant projekti më i preferuar, ku zë i parë dëgjohej K. Kolaneci. Ai këmbëngulte me kryeneçësi që fasada të ishte rretheqark krejtësisht xhamllëk. Kundër isha unë e M. Pepa, kurse K. Çomi, ndonëse i mbështeste, vazhdonte të bënte më vete zgjidhjen planimetrike e vëllimore të dy kateve të para. Unë gjithashtu, vazhdoja të punoja variantin tim.
Po afrohej dita e Këshillit Teknik. Atje, e dija se zëri im nuk do të dëgjohej, prandaj idetë e mia dhe kundërshtimet për variantin që po parapëlqehej, i shkrova e ia dorëzova S. Angonit. Mbledhja e Këshillit Teknik u bë në sallën e Komitetit Ekzekutiv (që u prish). Mori pjesë dhe F. Paçrami. Atë ditë mua më kishte qëlluar radha të bëja roje te porta e brendshme e Komitetit Ekzekutiv. Mbledhja e Këshillit Teknik për miratimin e projektit të hotelit, bëhej 10 metra larg vendit, ku unë bëja roje, por asnjëri nga kolegët e as nga Drejtoria, nuk u kujtuan të më thërrisnin brenda, duke më zëvendësuar me dikë, në mënyrë që të ruante portën e Komitetit Ekzekutiv, të mos hynte “armiku”. Pojekti u miratua, por unë, anëtari i grupit, refuzova të quhem autor i atij projekti dhe nuk firmosa asnjë fletë.
BIBLIOTEKA E KORÇËS
Si e kundërshtova Enverin:
“Të kanë informuar gabim”
Ajo ishte një ndërtesë që u konceptua pa dritare, po me një ndriçim që do të vinte nga lart. Ishte bibliotekë, dhe duhej eliminuar çdo zhurmë për lexuesit e rregullt. Por një objekt pa dritare u konsiderua si një modernizëm nga ana e udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës. Petraq Kolevica, ideatori i kësaj biblioteke që me ndërhyrje të njëpasnjëshme në projekt u ndërtua në qytetin e Korçës, rrëfen për “Telegraf” odisenë e ndërtimit të saj:
“Në vitin 1967 u thirra nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Korçës M. Grabocka për të projektuar bibliotekën e qytetit në të njëjtin vend ku ishte prishur një kishë. Në Tiranë takova ministrin Thoma Deliana, të cilit i thashë se kisha marrë përsipër të bëja projektin e bibliotekës së Korçës. Ai u tregua i pakursyer në premtime dhe caktoi një fond të mirë për ndërtimin e saj. Nga premtimet dashamirëse të Ministrit Thoma Deliana dhe nga interesi profesional i projektimit të një objekti të tillë, iu vura punës. Studiova bibliotekat e ndërtuara kohët e fundit në Angli, vendet skandinave, Gjermani c Zvicër dhe them se mundimi s’më shkoi kot.
Në fillim bëra një përpjekje të dëshpëruar. Si vend ndërtimi propozova vendin në kopshtin e Th. Gërmenjit, para bibliotekës së vjetër, pa e prishur atë, por duke e lenë të funksionojë si bibliotekë për fëmijë deri në klasën e 8-të. Për këtë propozim, paraqita një projekt-ide në Korçë. Ideja e ndërrimit të vendit të ndërtimit nuk u pranua, sepse duhej justifikuar prishja e Kishës me ndërtimin e bibliotekës në vend të saj.
Të mos e zgjatim projektin e bëra, u miratua, zyra e Korçës vazhdoi projektin e konstruksionit dhe filluan punimet e bashkë me të dhe zvarritjet c qëllimta. Kështu, deri në fillim të vitit 1975, ende s’kishte mbaruar si karabina. Ndërkohë, më 1974, filloi lufta kundër burokracisë dhe lufta e ndikimeve te huaja në letërsi e në artet, sipas orientimeve te forta të Plenumit IV. Nga kjo nuk shpëtoi as arkitektura. Atëherë u hap fjala që Enver Hoxha kishte qenë në Korçë dhe nuk e kishte pëlqyer bibliotekën. “Ç’është ky mur këtu pa dritare?” – paskesh thënë. Gjatë vitit 1974 unë drejtoja punimet në Ekspozitën “Shqipëria Sot” që u bë me rastin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Në 24 dhjetor Ekspozitën e vizitoi edhe Enver Hoxha. Enveri duke më shtrënguar dorën më tha: “Ju lumtë keni bërë një ekspozitë të bukur, ju jeni Kolevica nga Korça?”. “Po”, iu përgjigja. Juve keni bërë disa gjëra shumë të bukura në Korçë por në një ma keni prishur pak qejfin”. “E di shoku Enver” – i thashë. “Megjithëse aty kishte influencuar dhe Todi Lubonja”, Por unë iu kundërpërgjigja: “Vetëm ai nuk ka vend në këtë çështje” “Po mua kështu më kanë informuar, tha Enveri. “Gabim ju kanë informuar”, i thashë unë. Pas disa ditësh më thërritën në KQ dhe Sh. Dragoti me porosi të Haki Toskës, më tërhoqi vërejtje për qëndrimin tim në atë bisedë”
Mehmet Shehu shan piktorët: Jeni gomerë
Më dërguan të ndihmoja në bërjen e Ekspozitës me rastin e 15-vjetorit të Çlirimit, d.m.th. më 29 Nëntor ’59, të cilën e drejtonte ish-profesori im, arkitekti Besim Daja. Me prodhimet më të mira te asaj kohe dhe me mundësitë materiale minimale, disa arkitektë e piktorë-dekoratorë mundoheshin të paraqisnin bukur disi me art “sukseset e arritura” duke përdorur ngjyra të pastra, kontraste të efektshme, vizatime të thjeshta, shkrime me karaktere moderne të cilat, në ekspozitat rutinë të mëparshme nuk ishin përdorur. Në atë kohë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishte piktori Foto Stamo, vigjilent i zellshëm në mbrojtje të dogmatizmit partiak.
I shqetësuar shkroi një letër mbi modernizmat dhe revizionizmat që po shfaqeshin në atë ekspozitë dhe e mbajti vrapin në Komitetin e Partisë së qytetit, ku sekretare e parë ishte Fiqerete Shehu. Fiqeretja e alarmuar i paskesh thënë Mehmetit. Mehmeti i tërbuar çalltisi afër mesnatës në Ekspozitë, ku piktorët vazhdonin të punonin dhe në mes të sallës klithi; “Ç’është këtu, Beograd?” Në një panel pa të vizatuar me viza të drejta dekorative figurën e një kameriereje. “Kush e ka bërë këtë?”- pyeti.“Unë”, i tha piktori K. D. që para pak kohësh ishte kthyer nga studimet në Çekosllovaki. “Ç’je ti?” “Piktor”, – u përgjigj K. D. “Ti je një gomar!” klithi Mehmeti. Pastaj pa diçka dekorative të vizatuar me kontraste ngjyrash të forta. Poshtë asaj figure ishte piktori dekorator i talentuar F. A. “Ti e ke bërë këtë?” “Po” tha F. A. “Ç’është kjo?” “Paraqitje e mineralit të kromit”.
“Pse s’thoni që këtu ka plasur modernizmi e revizionizmi?” – tha Mehmeti e vazhdoi – “Unë do të kërkoj nga Byroja Politike që kjo ekspozitë të mos hapet!” – dhe iku. Ata që e jetuan atë kohë, e dinë se ç’rreziqe përmbanin ato fjalë të Mehmetit! Asaj nate, Besim Daja dhe piktorët që punonin me të, nuk e patën të vështirë ta shihnin fare pranë të hapur portën e burgut, prandaj deri në mëngjes i lyen me bojë të bardhë panelet, që pa Mehmeti e tjera të ngjashme me to. Në mëngjes erdhi Ramizi. “Ku janë ato modernizmat, që pa shoku Mehmet?” “I prishëm”, ishte përgjigja. Pa, ç’pa, Ramizi iku. Ca më vonë erdhi Liri Belishova. I ra qark ekspozitës dhe në një vend pa një tendë me tri ngjyra. “Ç’është ky flamur jugosllav këtu?” – tha.
Reflektim
“Sot e nesër, këto që thashë, duken çmenduri, por të mos harrojmë, se për udhëheqjen komuniste marksiste-leniniste shqiptare ende të pakonsoliduar, atmosfera ishte e disfavorshme, prandaj tërbohej dhe jo pa shkak. Nuk kishte shumë kohë që në Hungari ishte bërë kundërrevolucioni (apo revolucioni? Si ta quajmë?). Në ato ditë të vitit 1956, Mehmet Shehu, përpara oficerëve të mbledhur në Kinema “Brigada” gërthiste: “Janosh Kadari është, apo Janosh Kodoshi, ne nuk e dimë. Dimë se Hungaria e prishi kampin socialist”. Ishte bërë Konferenca e Tiranës ku, megjithë pasojat tragjike për disa, i ishte ngritur peta lakrorit dhe populli i pa lakrat që mbaheshin mbuluar. Kishte ardhur Hrushovi, që megjithë fasadën e bukur të mikpritjes, pati disa battibeco me udhëheqjen shqiptare e pastaj vajti u puth me Titon, armikun e saj numër një”.