Në interpelancën e thirrur me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deputeti i opozitës së re Lefter Maliqi tha se peshku është qelbur nga koka.
Ndërsa duke iu drejtuar ministres tha se “Nuk keni fuqi për të vepruar por jeni vendosur vetëm për të zbatuar urdhrat e kreut të KÇK-së”.
“KÇK paska të bëjë me të dënuar, as me gjyqtarë e prokurorë, por do ja dëgjoni krismën, kësaj polici-shtet që do jetë ndaj opozitarëve dhe jo ndaj oligarkëve të tyre që po pastrojnë paratë me ndërtime në Tiranë”, tha ai.
Maliqi pyeti se çfarë po ndodh me burgjet dhe nëse e ka parë dosjen e drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, për të cilin pretendoi për të kaluar të errët dhe ka qenë pjesë e SHIK-ut në vitin 1997.
“Çfarë lidhje ka me familjarët e Kuyeministrit dhe këto urdhra për shkarkime dhe emërime i bën ti apo ai? Pse i ka shkarkuar gjithë njerëzit e Sandër Lleshit?”, deklaroi Maliqi.
Nga ana e saj Gjonaj tha se sot burgjet nuk janë institucione ku ligjin e bëjnë të dënuarit, ndonëse nuk përjashtoi faktin se ka raste të shkeljeve, por tha se mund të kenë gabuar individët, por jo institucionet.
“Trajtim i punonjësve të burgjeve është përmirësuar. Ka ende shumë për të bërë në aspetin trajnues dhe një ndër objektivat e planit të veprimit i kushtohet procedurave të rekrutimit. Për herë të parë është futur një praktikë e re për drejtuesit e burgjeve, nëpërmjet konkurseve publike dhe transparente ku për herë të parë dorëzojnë formularin e dekriminalizimit, jo si detyrim ligjor por me kërkesë të ministrit të Drejtësisë”, u shpreh Gjonaj.
Ministrja tha se situata në burgje është tërësisht e ndryshme, nëpërmjet ushtrimit të kontrolleve dhe masave të marra për subjektet kriminale me rrezikshmëri të lartë, trajtim preferencial ndaj të burgosurve, masa administrative me urdhra të brendshëm, për numrin e takimeve.
Sipas saj, nga verifikimet e kryera ka pasur të burgosur që kanë kryer mbi 800 takime në vit, ndërkohë që rregullorja parashikon 40 takime.
Gjonaj tha se janë sekuestruar 172 aparate celularë dhe 48 raste me lënde narkotike dhe se është mbyllur historia e lejeve të veçanta me orë apo me ditë, të cilët sipas saj dekretonin edhe me deputetë, apo kryenin edhe krime.
g.kosovari