Nga Artur Ajazi
Më në fund, kreu i shtetit në detyrë është kujtuar për “zgjidhjen e krizës”. Në një postim në fb, dhe daljen para kamerave, Ilir Meta deklaroi se “zgjidhja e krizës së thellë politike dhe institucionale është domosdoshmëri për të frenuar ritmet dramatike të shpopullimit të vendit. Ndërsa të gjithë forcat politike duhet të angazhohen me politika konkrete për t’i motivuar shqiptarët e sidomos të rinjtë për të patur mundësi më të mira të punësimit dhe karrierës këtu.
Një vend pa rini, si një shtëpi pa fëmijë”. Vonë je kujtuar zoti Meta, vonë. Por postimin e tij kryetari shtetit nuk dihet kujt ja adreson, veçse kërkon “bashkëpunim dhe angazhim nga forcat politike”,duke harruar të përmendë emra e partitë politike, (shkaktare të krizës) që deri sot e kanë thelluar dhe agravuar krizën e stisur. Zoti Meta, kriza e sotme e ka burimin tek shkaqet dhe pasojat që solli veprimi i pamenduar politik i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që pas bojkotit të gjatë, “dogjën” institucionet e mandatet, bojkotuan zgjedhjet, refuzuan dhe injoruan këshillat e ndërkombëtarëve dhe ftesat e kryeministrit Rama, nuk njohën rezultatin dhe së fundi, nuk u qasën për të bashkuar mbështetjen institucionale dhe solidaritetin e tyre me shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti. Vonë je kujtuar zoti Meta, shumë vonë për të apeluar për “zgjidhjen e krizës”, gjë cila duhej bërë nga ju qysh para 16 muajsh dhe në vazhdim.
Thirrja përmes postimeve në fb të një kreu shteti, duket si një qokë e rradhës, apo si ai që erdhi me bereqetin pasi “kishin ikur delegatët”. Bereqeti presidencial, duhej në momentet e vështira të një krize dhe katrahure të cilën nuk dihet akoma, sepse ish-opozita e vjetër, e shfrytëzoi duke marrë vendime ektreme për mandatet e ligjvënësve, protestat e dhunshme, refuzimin e ftesave të kryeministrit për dialog dhe bashkëpunim institucional. Por pas kaq muajsh , një gjë është e sigurtë, ish-opozita e vjetër ka patur dhe ka një synim final (edhe pse nuk ka bërë kurrë opozitë) rrëzimin e Ramës nga pushteti jo me votë, por me pazare. Kjo gjë nuk ka ndodhur, dhe nuk do të ndodhë kurrë zoti Meta. Në një vend anëtar të NATO-s, dhe kandidat i sigurtë për tu anëtarësuar në BE, fitorja e pushtetit nga çdo parti politike, bëhet me votën e lirë.
Qasja dhe largimi i ish-opozitës së vjetër nga tryezat bashkëpunuese, qoftë edhe nga ajo e Reformës Zgjedhore, qasja dhe largimi i saj gjithmonë kur detyrohen nga faktori ndërkombëtar, mbetet sinjal negativ i një politike të vjetëruar që synon vetëm kapjen e pushtetit, dhe jo zgjidhjen e krizës. Këshillat e zotit Meta dhe “apeli” i tij në rrjete sociale, duken më tepër me bërje “adeti”, ose më tepër me një “dalje borxhi” ndaj atyre që sipas tij “e mbajnë peng të ardhmen e vendit”. Zoti Meta nga Shqipëria janë larguar dhe do të largohen, kanë ardhur dhe do të vijnë gjithmonë shqiptarë dhe europianë. Kujtoj që kur ishit ju kryeministët, shqiptarët iknin masivisht me gomone. Ky vend është i lirë dhe i hapur, sepse është në Europë dhe jo në Azi.
Më e besueshme do të ishte adresimi i “apelit” të zotit Meta konkretisht ish-opozitës së vjetër, të cilën ai e ka shumë merak, ta shohë edhe njëherë në pushtet. Kjo pasi, mesazhe dhe postime për “zgjidhje krize” me 1 vit e kusur me vonesë, të kujton atë shprehjen e Kananit, “aha me vonesë, delegatët ikën”. Ikën zoti Meta, ikën, dogjën mandatet, tentuan të djegin zgjedhjet dhe Shqipërinë, penguan edhe hapjen e negociatave, dhe tashmë ju kanë zgjedhur ju si “shkes” dixhital për zgjidhjen e krizës.
O like, je i madh, sa floriri..