Autoriteti Kombëtar Ushqimor (AKU) në bashkëpunim me organet e drejtësisë njofton se ka marrë masa për zbardhjen e plotë të dyshimeve mbi helmimin e dy foshnjeve binjake në Berat, ngjarje kjo e ndodhur më 26 janar të këtij viti.
AKU në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe institucionet e shëndetësisë ka marrë mostra për analizim të produktit duke përfshirë edhe analizimin e ujit që është përdorur për tretje e produktit, apo edhe rrethana të tjera që organet kompetente po hetojnë.
“AKU siguron konsumatorin se produktet e kësaj kategorie në treg kontrollohen dhe janë produkte që vijnë të çertifikuara nga vendet e BE-së, sigurisht që ndiqen nga Operatorët e Biznesit Ushqimor nën përgjegjësinë kryesore të tyre, edhe nën monitorimin e rreptë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, referuar sistemit RASFF (Sistemi i Informimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) i krijuar nga BE, pas veifikimeve rezultoi se nuk ka pasur asnjë njoftim të kategorisë “Alert” për këto lloj produktesh. AKU, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore për konsumatorin, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për verifikim dhe gjurmimin e rastit, edhe pse ende nuk është shprehur Mjekësia Ligjore. Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit. ” njofton AKU.
Foshnjet në Berat ndërruan jetë tre ditë më parë në Berat ndësra ishin vetëm 5-muajshe. Familja Agalliu, dyshon te qumështi me kuti që i kishin ushqyer, ndërsa mjekët te asfiksia nga soba, ndëra hetimet vijojnë.
Një ditë pas tragjedisë kamera e Report Tv ishte në familjen Agalliu. Nëna e binjakëve Merushe Agalliu u shpreh se fëmijët i ushqente me qumësht kutie dhe se nuk kishin shfaqur asnjëherë probleme. Ajo kërkon që të zbardhet ngjarja për të mësuar shkaqet që i morën jetën dy fëmijëve.
Ky është rasti i tretë në pak ditë, pasi para 4 ditësh ndërroi jetë një foshnje në Kavajë, ndërsa para 8 ditësh një në Librazhd. /e.s/