Njësia 13 është një ndër zonat e para në Tiranë që furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë. Bashkë me administratorët e pallateve, banorët kanë nisur heqjen jo vetëm të depozitave në tarraca, por edhe të atyre të përbashkëta.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, inspektuan disa nga pallatet e njësisë, ku ka nisur çmontimi i depozitave dhe furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë. “Kemi hyrë në një fazë të re transformimi të Selitës. Fillimisht e shpallëm më vete Njësinë 13, që të marrë më shumë vëmendje. Kemi planifikuar këtë vit, me Ministrinë e Shëndetësisë, të kemi një Qendër Shëndetësore, po ashtu kemi bërë buxhetimin e fazës së parë të bllokut të Selitës dhe sot jemi në një situatë ku po shohim sesi po na funksionon projekti i ujit 24 orë në lagjen 13. Janë 130 pallate me 12 mijë banorë, që do të kenë ujë 24 orë”, tha Veliaj.
Falë investimit të Bashkisë së Tiranës në depon e ujit, e gjithë zona mund të furnizohet me ujë të pijshëm. “Bëmë investimin në depon e ujit te Qyteti i Nxënësve. Duke qenë se depo e ujit është në kodrinë, një pjesë e madhe e zonës furnizohet me rënie të lirë dhe me presion, sidomos në pjesën e ulët të kodrës, ku takohemi me Unazën e Re. Në pjesën e lartë të kodrës, është unaza e presionit ajo që e mban të gjithë rrjetin të karikuar 24 orë. Ka një radhë pune dhe procese që nuk ishin bërë prej vitesh. Imagjinoni, deri para pak vitesh, kjo ishte zona e Farkës, një zonë fshat me 130 pallate”, shtoi ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se heqja e depozitave është mënyra më e mirë për të pasur një ujë cilësor. Veliaj siguroi se uji që del nga Bovilla i nënshtrohet testeve prej nga merret garanci maksimale se nuk ka ndojtje, e më pas u shpërndahet qytetarëve. “Një pjesë e madhe e depozitave nuk janë pastruar me vite. Dakord, aty ku ka administrator dhe ai është i kujdesshëm, bëhet pastrimi periodik, por ka depozita që s’janë pastruar prej 10-20 vitesh. Qytetarët duhet ta kuptojnë, me ligj, ne bëjmë testime çdo 30 minuta të ujit, shansi që uji nga Bovilla të dalë i ndotur është zero. Uji ndotet kur futet në pallat, turbullohet në një depozitë që ka dekantuar prej vitesh, lloj-lloj punimesh e çudirash që mund të kenë ndodhur aty, dhe kjo sjell ndotje në çezmë”, sqaroi ai.
Veliaj dha lajmin e mirë se plani për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë do të shtrihet në të gjitha lagjet e Tiranës. “Ata që përfitojnë të parët nga heqja e depozitave janë vetë banorët e atij komuniteti. Kjo është pak edhe si efekt domino: kemi filluar me një lagje tek kodra e Priftit, pastaj tek burgu i grave, tani jemi në Selitë. Do të vazhdojmë me këtë efekt domino në të gjitha lagjet e Tiranës për ta rritur ujin në 24 orë”, u shpreh ai, teksa theksoi se shumë shpejt do të hapet edhe linja e re që dyfishon sasinë e ujit që del prej impiantit të Bovillës.
“Në shkurt hapim linjën që vjen nga liqeni i Bovillës në impiant dhe dyfishojmë sasinë e filtrimit. Kemi pasur deri tani disa testime shumë të suksesshme të linjës; duke shtuar ujin në qytet, por edhe duke u siguruar që ky presion unazor qëndron për secilën prej lagjeve, besoj se do të jetë vetëm çështje kohe sa të heqim edhe më shumë depozita. Fillimisht depozitat i kemi hequr për efekt të tërmetit, kurse në pallatet e reja, si ai që pamë sot, po heqim edhe depozitat poshtë, duke qenë se lagja furnizohet me ujë 24 orë”, garantoi Veliaj.
Deputeti i PS, Pandeli Majko u shpreh se pavarësisht skepticizmit të fillimit, tashmë ky transformim është një realitet i prekshëm. Majko nënvizoi se 2020 do të jetë një nga vitet më të mira nga pikëpamja e investimeve dhe cilësisë së jetës. “Hyja tek pesimistët përsa i përket heqjes së këtyre depozitave nëpër pallate, por besoj se sot jemi dëshmitarë të krijimit të një rrethi të presionit të ujit, i cili do të garantojë furnizim 24 orë. Kjo është një zonë e cila po i kthehet Tiranës me këtë investim që fillon me ujin pijshëm, që ka vazhduar me energjinë elektrike dhe do të mbyllet edhe me infrastrukturën me zonën e fundit që ka mbetur pa u asfaltuar”, u shpreh Majko.
UKT po punon paralelisht për investime në linjat kryesore të transmetimit dhe në përmirësimin e rrjeteve të shpërndarjes nëpër lagje.