Nga Ben Andoni
Ndërsa është duke u zvogëluar afati i mandatit të dytë të rregullt të qeverisë Rama, opozita ka dhënë shenja se do ngrihet në protesta. Madje, edhe emisarë të ekuilibruar të saj kanë dhënë mesazhin e nevojës së radikalizimit të tyre. Por, ndërsa ulja në Tryezën Zgjedhore po përjetohet një tërheqje pas e Opozitës, kthimi në protesta të dhunshme duket se po tregon sërish se Opozita po futet në një qerthull të ri pa strategji. Për fat të keq, menaxhimi i protestave ka mbetur në dorë të politikës, paçka se ato në këtë kohë janë shumë të nevojshme.
Që nga shkurti i vitit të shkuar, kur filluan protestat e 2019, njerëzit pritën shumë që të kishte një rezultat të prekshëm, ato që u premtonin nga foltorja e improvizuar para Kryeministrisë krerët e Opozitës. Por, veçse ato u shuan pas muajsh, u bënë Zgjedhjet Lokale me Maxhorancën dhe satelitët e saj, ndërsa në Vjeshtën e vitit të shkuar, paçka anatemave të dyanshme, palët u ulën për të biseduar nën “të padëshiruarin”, Ambasadorin e OSBE-së Borchardt. Nëse nuk do binte edhe tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit, tryeza e Janarit do të ishte që në Nëntor, paçka se krerët e opozitës ruajtën kinse dinjitetin duke mos u ulur me shefin e shumëpërfolur të reformës zgjedhore nga ana e PS-së, Damian Gjiknuri.
Deri më 15 Mars të këtij viti, Reforma Zgjedhore me shumë gjasa do të mbyllet dhe përfaqësuesit e të gjithë palëve politike duket se janë futur në një hulli. Kuptohet se sistemi ka pak gjasa të ndryshojë, por edhe nëse do të ndryshojë, të dy partitë kryesore do të jenë sërish bashkë për t’ua bërë jetën e vështirë partive të vogla.
Ndërkohë që humbja më e madhe në këto kushte veç elektoratit të Majtë, i cili po bjerret prej lodhjes nga propaganda e qeverisë , që e kanë votuar, dhe nga pak rezultatet e dukshme, është ajo që vjen për elektoratin e Djathtë prej Opozitës dhe e krerëve të saj. Njerëz që e kanë besuar dhe votuar, por edhe marrë pjesë në protestat e gjata, do e kenë të vështirë të bashkohen në atë masë sa të dëgjojnë deklaratat me shumë regjistra të krerëve të opozitës, që nuk të çojnë asgjëkundi.
Në ditët na vazhdim mbetet të shihet realisht sjellja e Pozitës dhe ecuria e Hapjes së Negociatave. Duket se Rama në skenarë pozitive të Hapjes së Negociatave (sipas premtimeve) do jetë më i interesuari paskëtaj të mundësojë zgjedhjet e pjesshme, pra në bashkitë që janë ende pa kryebashkiakë ose për të bërë mbase edhe më të mirën fare: Zgjedhjet e përgjithshme Lokale, që në fakt me kushtet e Shqipërisë, duhet të kishin brenda dhe Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare. Por që të bëhen të gjitha këto duhen shumë tryeza dhe shumë mundësi, në mënyrë që palët të tërhiqen dhe t’i kthehen normalitetit politik. Për këtë opozitës i duhet të fitojë kohë dhe të përgatitet seriozisht. Edhe kaq shqiptarët janë të mërzitur dhe zhgënjyer me të gjithë politikanët, ku Opozita ka rolin e saj jo të vogël. Ndaj përgatitja për të ardhmen, duhet të jetë e vetmja mënyrë sesi duhet të funksionojë logjika e z. Basha, nëse do ta nxjerrë vendin nga ky qerthull pa sens, por edhe për ta shkundur veten nga letargjia e vazhdueshme. (Javanews)