Shqipëria është ende lart përdorimit të biokarburantit pasi ligji në fuqi i miratuar në 2008 nuk është zbatuar ndërsa ligji i ri i hartuar në 2015 ende nuk është miratuar. Ligji për biokarburantet synon që ulë ndotjen e ajrit. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese teksa ka diskutuar këtë draft të ri është shprehur se ligji është i vonuar dhe objektivat nuk mund të realizohen.
Me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e shëndetit si dhe stimulimin për zhvillim më të mirë të bujqësisë dhe pyjeve, qeveria ka hartuar një projektligj për rritjen e përdorimit të detyrueshëm të biokarburantit nga mjetet e transportit.
Ky projektligj që sot është diskutuar për herë të parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese synon që brenda këtij viti 10% e sasisë së karburantit që përdoret për transport të jetë biokarburant. Kjo vjen në kuadër të detyrimeve që ka vendi ynë për përdorimin e energjive të rinovueshme në masën 38% deri në vitin 2020. Relatori i projektligjit Andrea Marto tha se ligji është i vonuar dhe objektivat nuk mund të realizohen.
“Për vitin që jemi, në 2020, % e biokarburantit për transport në treg duhet të jetë 10%. Faktikisht përveç kësaj problematike, që objektivat nuk janë zbatuar, BE në 2018 ka nxjerrë një objektiv të ri dhe ligji duhet të përshtatet se është i vonuar dhe ka objektiva të viteve të kaluara e duhet përshtatet me direktivën e re të BE”, tha Marto.
Nëpërmjet këtij projektligji për herë të parë i hapet rruga prodhimit dhe përdorimit të biokarburanteve, që prodhohen nga biomasa. Sipas drejtorit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Infrastrukturës Ilia Gjermani, për prodhim do të përdoren bimët.
“Ka për qëllim përdorimin e burimeve të rinovueshme në sektorin e transportit, dhe po përshtatim legjislacionin me BE. Qëllimi i pr/ ligjit është të përshtatë klauzolat e BE për sektorin e biokarbureve. Synimi thelbësor është të reduktohet përdorimi i gazrave serrë, apo reduktimi i karburanteve me origjinë fosile për të kaluar te prodhimi i biokarburanteve bimore dhe shtazore”, tha Gjermani.
Ndërkohë prodhimi dhe përdorimi i biokarburanteve do të jetë i detyrueshëm, kjo pasi ligji që është aktualisht në fuqi i miratuar në 2008 për këtë sektor nuk është zbatuar.
“Në sektorin e transportit biokarburant do të detyrohen të përdorin jo më pak se 10% biokarburant. Është konsideruar e logjikshme që të jetë i detyrueshëm që të mos kemi të njëjtën ndodhi si me ligjin e vjetër”, u shpreh drejtori i hidrokarbureve në ministri.
Aktualisht në Shqipëri janë 2 fabrika të licensuara për prodhimin e biokarburantit por prodhimi aktualisht është zero. Çmimi i biokarburantit – lëndë djegëse për sektorin e transportit – është më i lartë se lëngjet e tjera. Jashtë vëmendjes nuk ka mbetur as importi i karburanteve në tërësi pasi zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Ilir Bejtja tha se vendi ynë prodhon naftë vetëm në Ballsh ndërsa importon 840 mijë ton në vit. Shqiptarja.com